SHBA – Trump: Irani të zbatojë armëpushimin, ushtria amerikane do të mbetet e dislokuar

UASHINGTON, 9 prill /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka kërcënuar se mund të ketë një përshkallëzim të ri ushtarak kundër Iranit nëse Teherani nuk i përmbahet plotësisht marrëveshjes së armëpushimit.
“Anijet, avionët dhe trupat ushtarake amerikane do të mbeten të stacionuara rreth Iranit, me pajisje shtesë nëse është e nevojshme”, tha Trump dje në mbrëmje në platformën e tij “Truth Social”.
“Kjo do të mbetet kështu – derisa marrëveshja e vërtetë e arritur – të përmbushet plotësisht”, shtoi presidenti amerikan.
“Nëse kjo nuk ndodh, megjithëse “shumë e pamundur”, atëherë do të nisin të shtënat më masive dhe më të fuqishme që keni parë ndonjëherë”, paralajmëroi ai.
“Çdo gjë e nevojshme për “shkatërrimin” e një armiku tashmë të degraduar do të mbetet në fuqi”, shtoi Trump.
Armëpushimi i përkohshëm dyjavor synon t’u japë palëve kohë për të negociuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të zgjidhur konfliktin.
Në postimin e tij, Trump përsëriti kërkesat kryesore të SHBA-së, duke thënë se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore dhe se Ngushtica e Hormuzit duhet të jetë e hapur dhe e sigurt. //a.i/