FOKUS – Finlanda dhe Lituania do të fillojnë prodhimin e minave tokësore

BRUKSEL, 9 korrik /ATSH/ – Lituania dhe Finlanda pritet të fillojnë prodhimin vendas të minave tokësore vitin e ardhshëm – për furnizimin e tyre, por edhe për Ukrainën – për shkak të asaj që e shohin si kërcënim ushtarak nga Rusia, thanë zyrtarë nga këto dy vende anëtare të NATO-s për “Reuters”.
Të dy vendet, që kufizohen me Rusinë, kanë shpallur synimin për t’u tërhequr nga Konventa e Otavës – që ndalon përdorimin e këtyre minave, dhe zyrtarët thanë se prodhimi mund të nisë sapo të përfundojë procesi gjashtëmujor i tërheqjes.
Tre shtete të tjera të NATO-s dhe Bashkimit Evropian – Polonia, Letonia dhe Estonia – po ashtu po e braktisin këtë traktat, duke përmendur shqetësimet në rritje të sigurisë për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Vendimi në Finlandë dhe Lituani për të nisur prodhimin e këtyre minave – erdhi si rezultat i shqetësimeve në rritje – se ambiciet ushtarake të Rusisë mund të shtrihen përtej Ukrainës, dhe mes zotimeve të shteteve të NATO-s për të rritur shpenzimet për mbrojtje, në përputhje me kërkesat e presidentit amerikan, Donald Trump.
“Lituania do të jetë në gjendje të furnizojë edhe vende të tjera, përfshirë Ukrainën”, tha Vincas Jurgutis, kreu i shoqatës së industrisë së mbrojtjes së Lituanisë.
Finlanda gjithashtu mund të furnizojë mina tokësore për Ukrainën. /Ad.Ab/ /a.i/