SPORT – Trajneri i Brazilit, Ancelotti, dënohet për evazion fiskal

MADRID, 9 korrik /ATSH-DPA/- Trajneri i ekipit kombëtar të Brazilit, Carlo Ancelotti është dënuar sot me burg – i akuzuar për evazion fiskal, tha sot gjykata rajonale në Madrid.
Gjykata vendosi gjithashtu një gjobë prej 386,361.93 euro (452,268.39 dollarë). Vendimi nuk është ende përfundimtar dhe mund të apelohet.
Ish-trajneri i Real Madrid-it nuk pritet të shkojë në burg. Dënimet me burg deri në dy vjet në përgjithësi pezullohen në Spanjë.
Zyra e prokurorit publik ka kërkuar një dënim me burg prej katër vjetësh e nëntë muajsh dhe një gjobë prej më shumë se 3 milionë eurosh.
Ancelotti u akuzua për mospagesë të një shume prej rreth 1,06 milionë eurosh ndaj autoriteteve tatimore gjatë mandatit të tij të parë në Real Madrid (2013 deri në 2015).
Çështja kishte të bënte me të ardhurat nga të drejtat e imazhit në vitet 2014 dhe 2015, dhe Ancelotti u shpall fajtor për vitin 2014.
Ai u lirua nga akuza për evazion fiskal në vitin tatimor 2015.
Në seancën dëgjimore në Madrid në fillim të prillit, Ancelotti tha se nuk kishte pasur kurrë ndërmend të mashtronte shtetin dhe se ishte mbështetur në rekomandimet e klubit dhe këshilltarëve të tij. //a.i/