E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Greqia sërish në darën e të nxehtit me temperatura deri në 42°C

ATHINË, 22 gusht /ATSH-AFP/ – Zhiva mund të arrijë në mbi 42°C në disa rajone të Greqisë këtë fundjavë, paralajmëroi sot shërbimi meteorologjik grek.

Sipas të dhënave nga Observatori Kombëtar i Athinës, “një rritje e lehtë e mëtejshme e temperaturave do të vërehet në të gjithë vendin gjatë fundjavës”.

“Kushtet e valës së nxehtësisë do të mbizotërojnë në shumë rajone deri në mesin e javës së ardhshme”, vazhdoi Observatori në deklaratën e tij.

Temperaturat maksimale do të arrijnë 38 deri në 40 gradë Celsius, ndërsa lokalisht zhiva mund të afrohet 41 deri në 42°C.

“Masat ajrore mbi Greqi do të jenë 6-8 gradë Celsius më të ngrohta se normalja për këtë kohë të vitit”, theksoi shërbimi meteorologjik grek.

Një lartësi prej 1 500 metrash përdoret për të studiuar ndryshimet e temperaturës në atmosferën e poshtme.

E mësuar me temperaturat e larta gjatë muajve të verës, Greqia u kursye këtë verë nga valët e zgjatura të nxehtësisë si ato të vërejtura në vendet e Evropës Veriore dhe Perëndimore.

Një valë fillestare e të nxehtit që zgjati tre ditë ndodhi në mesin e korrikut, me temperatura që arritën deri në 42°C, veçanërisht në pjesën qendrore të vendit./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›