E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia arreston në flagrancë 62-vjeçarin në Rrëshen, dyshohet se ndezi 6 vatra zjarri

TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin me iniciale A. D., 62 vjeç, banues në fshatin Rraja e Valës, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, 62-vjeçari u kap në kuadër të operacionit policor të koduar “Piromani 2”, pas një pune gjurmuese 48-orëshe, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe ndjekjes në terren me pajisje dron pasi dyshohej se merrej me zjarrvënie të qëllimshme.

Arrestimi i tij u krye për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Në momentin e kapjes, 62-vjeçari sapo kishte ndezur një vatër zjarri në fshatin Rraja e Valës. Nga veprimet hetimore dhe ndjekja në terren është dokumentuar se, gjatë ditëve të mëparshme, ky shtetas kishte ndezur edhe 5 vatra të tjera zjarri.

Si pasojë e zjarreve, është përfshirë nga flakët një sipërfaqe prej rreth 15 hektarësh, ndërsa vijon puna në terren për shuarjen e plotë të zjarrit dhe vënien nën kontroll të tij.

Shërbimet zjarrfikëse, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.

Nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi A. D. ka precedent të mëparshëm për zjarrvënie të qëllimshme.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të aktivitetit të këtij shtetasi dhe verifikimin e përfshirjes së tij edhe në zjarrvënie të tjera të ndodhura më herët në territorin e bashkisë Mirditë. /r.e//a.g/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›