FOKUS - Irani dhe Katari në ditën e tretë të bisedimeve për t’i dhënë fund luftës me SHBA-në - ATSH -
TEHERAN, 1 nëntor /ATSH/ – Negociatorët iranianë ndodhen sot në Doha, ku për të tretën ditë radhazi zhvilluan bisedime me ndërmjetësuesit nga Katari, me synimin për të arritur një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, bëri të ditur një zyrtar, sipas Reuters.
Bisedimet zhvillohen në një moment shqetësimi për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, më 3 nëntor.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Uashingtoni nuk do të ndërmarrë sulme të reja ndaj Iranit përpara zgjedhjeve të mesmandatit dhe se negociatat me Teheranin kanë qenë produktive, por nuk ka përjashtuar mundësinë e veprimeve të tjera ushtarake pas tyre.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi sot se bisedimet, të cilat po vijojnë dhe po përparojnë, synojnë vazhdimin e konsultimeve me ndërmjetësuesit nga Katari.
Ai theksoi se Irani është i përgatitur si për mbrojtjen, ashtu edhe për diplomacinë, ndërsa shtoi se diskutimet mbi një propozim dyditor vazhdojnë, por ende nuk është arritur një përfundim përfundimtar.
Sipas televizionit ” Al Jazeera”, negociatorët iranianë dhe ata nga Katari kanë hartuar një propozim që parashikon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda dy ditëve nga arritja e një marrëveshjeje të mundshme me Uashingtonin.
Kjo rrugë detare ka rëndësi strategjike për furnizimin global me naftë, ndërsa konflikti tetëmujor ka shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në tregjet energjetike.
Ndërkohë, Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, urdhëroi djr forcat e armatosura të jenë të përgatitura për çdo sulm të mundshëm.
Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se presidenti Trump ende nuk ka marrë një vendim për sulme të reja, por preferon zgjidhjen diplomatike të konfliktit. /Ad.Ab./
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
