FOKUS – Irani përshkallëzon luftën me SHBA-në dhe Izraelin

DUBAI, 2 mars /ATSH/ – Lufta në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar më tej, pasi Irani dhe forcat e milicisë së mbështetura prej tij lëshuan raketa drejt Izraelit dhe disa shteteve arabe, ndërsa avionët izraelitë dhe amerikanë goditën objektiva të shumta brenda territorit iranian, sipas AP.
Sipas njoftimeve, një nga sulmet goditi kompleksin e Ambasadës Amerikane në Kuvajt, ku u panë flakë dhe tym, megjithëse nuk pati menjëherë të dhëna për viktima.
Ndërkohë, zyrtarë të lartë iranianë deklaruan se nuk do të negociojnë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Irak, një milici pro-iraniane mori përgjegjësinë për një sulm me dron ndaj trupave amerikane në aeroportin e Bagdadit, ndërsa autoritetet në Qipro raportuan për një tentativë sulmi ndaj një baze britanike në ishull.
Hezbollah njoftoi se kishte lëshuar raketa nga Libani drejt Izraelit, në reagim ndaj vrasjes së udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme ajrore në Liban, ku sipas Ministrisë së Shëndetësisë u vranë të paktën 31 persona dhe u plagosën mbi 100 të tjerë, shumica në jug të vendit.
Sipas autoriteteve iraniane, mbi 200 persona janë vrarë që nga nisja e sulmeve ajrore izraelito-amerikane.
Ushtria amerikane bëri të ditur se bombarduesit “Stealth B-2” goditën objekte të programit të raketave balistike të Iranit, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se disa anije luftarake iraniane janë fundosur dhe se selia e marinës iraniane është shkatërruar në masë të madhe.
Ndërsa tensionet rriten, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania shprehën gatishmëri për të bashkëpunuar me SHBA-në për të ndalur sulmet iraniane, ndërsa disa shtete arabe të Gjirit paralajmëruan se rezervojnë të drejtën për t’u kundërpërgjigjur.
Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri thirrje për mbrojtjen e civilëve dhe objekteve shëndetësore, duke theksuar se përshkallëzimi i konfliktit rrezikon destabilizim të mëtejshëm të rajonit. /Ad.Ab./