E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Italia zgjat me 15 ditë kontrollet në kufijtë ajrorë dhe detarë me Spanjën

ROMË, 15 shtator /ATSH -ANSA/ – Italia ka vendosur të zgjasë me 15 ditë kontrollet në kufijtë ajrorë dhe detarë me Spanjën, një masë e njoftuar këtë mëngjes nga ministri i Brendshëm italian Matteo Piantedosi.
Vendimi iu komunikua Komisionit Evropian dhe ministrave homologë të vendeve të Bashkimit Evropian.

Sipas Ministrisë së Brendshme italiane, zgjatja e kontrolleve u konsiderua e nevojshme pas verifikimeve të kryera nga Komiteti për Analizën e Imigracionit dhe Sigurisë së Kufijve.

Autoritetet italiane vlerësojnë se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqe të larta për sigurinë e brendshme, si edhe një rrezik i mundshëm për infiltrime terroriste.

Përgjigjja e Madridit

Edhe Spanja ka vendosur të zgjasë kontrollet ndaj udhëtarëve që mbërrijnë nga Italia.
Sipas agjencisë spanjolle EFE, duke cituar burime nga Ministria e Brendshme e Spanjës, kontrollet në porte dhe aeroporte do të vazhdojnë deri më 8 tetor.

Madrid kishte vendosur për herë të parë kontrolle më 8 gusht, si përgjigje ndaj masës së ndërmarrë nga Italia. Fillimisht ato u vendosën për një muaj dhe më pas u zgjatën deri më 23 shtator.

Masat nënkuptojnë një pezullim të përkohshëm të zbatimit normal të rregullave të Schengenit në lidhje me lëvizjet mes dy vendeve /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›