FOKUS – Izraeli rihap pikën kufitare te Rafahut në Gaza në “bazë prove”

TEL AVIV/GAZA, 1 shkurt /ATSH-DPA/- Rihapja zyrtare e pikës kufitare të Rafahut midis Egjiptit dhe Rripit të Gazës është shtyrë edhe një ditë, pasi operacionet në pikën e kontrollit iu nënshtruan sot një prove, konfirmuan burime izraelite, palestineze dhe të BE-së.
“Lëvizja e njerëzve do të lejohet vetëm nga e hëna mes diskutimeve të vazhdueshme mbi sigurinë dhe procedurat operative”, raportoi agjencia izraelite e lajmeve “ynet”, duke thënë se deri më tani pika e kalimit po funksiononte vetëm “në bazë prove”.
Izraeli tha më parë këtë javë se pika e kalimit jugor të Gazës do të rihapej për “lëvizje të kufizuara” nga e diela, pasi grupi ekstremist palestinez Hamas dorëzoi eshtrat e pengut të fundit izraelit të mbajtur në Gaza.
Rihapja pas një ndërprerjeje gati 1-vjeçare është pjesë e planit të paqes në Gaza të presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Një zëdhënës i autoritetit shëndetësor të Gazës tha se as pacientët dhe as banorët e tjerë nuk kanë qenë në gjendje të kalojnë deri më tani, pasi burime palestineze thanë më parë se rreth 50 pacientë fillimisht do të lejoheshin të largoheshin nga Rripi i Gazës së bashku me shoqëruesit e tyre.
Burime egjiptiane të sigurisë thanë se Izraeli ende nuk e ka rihapur pikën e kalimit. Ushtria izraelite mban kontrollin e kufirit pas armëpushimit të tetorit, i cili u arrit pas më shumë se dy vitesh lufte.
Hapja e pikës së kalimit për lëvizjen e njerëzve është shtyrë për nesër, thanë burimet, që do të thotë se asnjë palestinez nuk do të jetë në gjendje të largohet sot nga Gaza, me udhëtimin provë që synon të testojë operacionet.
Rreth 150 persona do të autorizohen të largohen nga Rripi i Gazës çdo ditë nga e hëna, ndërsa rreth 50 të tjerë do të lejohen të kthehen në territorin palestinez të shkatërruar nga lufta, sipas vlerësimeve të cituara nga mediat izraelite.
“Vetëm rreth 42 000 palestinezë që u larguan nga Rripi gjatë luftës midis Izraelit dhe Hamasit do të lejohen të hyjnë në Gaza përmes pikës së kalimit”, thanë autoritetet izraelite.
Sipas autoritetit shëndetësor në Rripin e Gazës, rreth 20 000 palestinezë të sëmurë aktualisht presin të largohen nga territori për trajtim në Egjipt. Midis tyre janë 440 raste akute ku mbijetesa e pacientëve është në rrezik.
Hyrja dhe dalja për në dhe nga Gaza do të autorizohet në bashkëpunim me Egjiptin dhe pas miratimit të sigurisë nga Izraeli dhe kontrollit nga një mision i Bashkimit Evropian.
Deri më tani, vetëm ndihma e kufizuar humanitare është lejuar të hyjë në territorin kryesisht të shkatërruar palestinez nëpërmjet pikave kufitare me Izraelin. //a.i/