FOKUS – Kievi: Heqja e dekoratës Zelenskyt nga Polonia gabim strategjik dhe vendim përçmues

KIEV, 19 qershor /ATSH-AFP/ – Ukraina e konsideroi sot një gabim strategjik dhe një vendim përçmues veprimin e presidentit polak, Karol Nawrocki, i cili i hoqi dekoratën më të lartë të vendit homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky mes tensioneve që rrjedhin nga historia e tyre e përbashkët.
“Na vjen keq që emocionet kanë mbizotëruar në Varshavë dhe kanë shtyrë udhëheqësit politikë polakë të marrin masa të pajustifikuara, impulsive dhe përçmuese”, shkroi ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiga në Facebook duke iu referuar një përshkallëzimi të panevojshëm midis dy vendeve.
Ai shtoi se, në shenjë proteste, do t’i kthente Polonisë një dekoratë që ai vetë kishte marrë nga Varshava.
Presidenti polak, Karol Nawrocki njoftoi sot se po ia hiqte nderin më të lartë të vendit presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë, mes tensioneve që rrjedhin nga historia e tyre e përbashkët.
Ky vendim shumë simbolik mund të dëmtojë marrëdhëniet dypalëshe, pasi Varshava ka qenë një nga mbështetëset më të zjarrta të Kievit, si ushtarakisht ashtu edhe humanitarisht, që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022./ a.jor.