FOKUS – Kina kërkon shmangien e tensioneve me SHBA-në para vizitës së Trump

PEKIN, 8 mars /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, paralajmëroi u shpreh sot kundër keqkuptimeve në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në prag të vizitës së pritshme në Kinë të presidentit amerikan Donald Trump.
Në deklaratën e tij në kuadër të Asamblesë Kombëtare Popullore, Wang tha se nëse dy vendet i kthejnë shpinën njëri-tjetrit, kjo mund të çojë në perceptime të gabuara dhe llogaritje të pasakta.
“Një rrugë drejt konfliktit dhe përballjes mund ta tërheqë poshtë gjithë botën”, thuhet në një përmbledhje zyrtare në anglisht të komenteve të tij.
Sipas tij, marrëdhëniet mes Kinës dhe SHBA-së kanë ndikim të gjerë dhe pasoja globale.
Trump ka njoftuar se planifikon të vizitojë Kinën, një vizitë që sipas raportimeve mund të zhvillohet në fund të muajit mars.
Megjithatë, Pekini ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë vizitë.
Presidenti amerikan dhe udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, u takuan për herë të fundit në Korenë e Jugut në fund të tetorit, para samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), ku ranë dakord, ndër të tjera, për një pauzë të përkohshme në mosmarrëveshjen e tyre tregtare. /Ad.Ab./