FOKUS – Merz: Gjermania dhe SHBA-ja duhet të ushtrojnë më shumë presion mbi Rusinë

UASHINGTON, 7 qershor /ATSH/- Pas bisedimeve me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, kancelari gjerman, Friedrich Merz ka theksuar përgjegjësinë e përbashkët të Berlinit dhe Uashingtonit për të rritur presionin ndaj Rusisë, sipas DW.
Pas bisedimeve me Trump, Merz tha se ai gjithashtu i kujtoi atij se SHBA-ja ka qenë gjithmonë përgjegjëse në shkallë globale – për të ushtruar presion mbi vendet që do të bënin luftë.
Merz, gjithashtu vuri në dukje se të dy vendet tani ishin të detyruara bashkërisht të ushtronin një presion më të madh mbi Rusinë – për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Në këtë kontekst, Merz kujtoi Ditën-D, ngjarjen historike të Luftës së Dytë Botërore kur trupat aleate amerikane, britanike dhe kanadeze zbarkuan në plazhet e Normandisë në Francën e pushtuar nga nazistët.
Kjo ditë shënoi hapin e parë në çlirimin e Evropës nga Aleatët dhe mposhtjen e Gjermanisë naziste.
“Dita-D, 6 qershor – është dita kur amerikanët hynë në Evropë për të ndaluar luftën në vitin 1944. Kjo mund të jetë një situatë historike e ngjashme, por jo me veprime ushtarake, por me presion mbi Rusinë për t’i dhënë fund kësaj lufte”, tha kancelari gjerman.
Kur u pyet nëse mendonte se përmendja e rolit historik të SHBA-se do të ndryshonte diçka, Merz u përgjigj se ishte optimist.
“Unë nuk jam aq optimist sa të parashikoj se diçka do të ndryshojë menjëherë në Ukrainë”, shtoi ai.
Gjatë takimit të tij me Merz në Zyrën Ovale, Trump, monologët e të cilit zunë pjesën më të madhe të takimit publik, e krahasoi luftën ruso-ukrainase me “fëmijët që luftojnë në një park”.
Trump tha se nuk e kuptonte Putinin – pas operacionit “Rrjeta e Merimangës” të Ukrainës.
Merz, nga ana e tij, shmangu përballjen e drejtpërdrejtë me presidentin amerikan, por theksoi butësisht se Gjermania po qëndronte me Ukrainën. //a.i/