E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Merz, Macron dhe Starmer vlerësojnë rolin e Trump për paqen në Gaza

BERLIN, 11 tetor /ATSH-DPA/- Udhëheqësit e E3, të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe kanë vlerësuar përpjekjet e presidentit të SHBA-së Donald Trump, si dhe të ndërmjetësve nga Egjipti, Katari dhe Turqia për zgjidhjen e konfliktit në Gaza midis Izraelit dhe grupit militant palestinez “Hamas”.

“Tani është me rëndësi të madhe që të gjitha palët të zbatojnë detyrimet e tyre plotësisht dhe pa vonesë”, thanë ata në një deklaratë të përbashkët të publikuar dje në mbrëmje.

Të tre vendet u zotuan të mbështesin paketa të konsiderueshme të ndihmës humanitare përmes agjencive të OKB-së”, gjatë javëve të ardhshme.

Plani i paqes i propozuar nga Trump dhe i mbështetur nga Izraeli dhe Hamasi – pritet të çojë në lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, gjatë ditëve të ardhshme.

Armëpushimi në Rripin e Gazës ka hyrë tashmë në fuqi, i cili duhet të mundësojë edhe shpërndarjen e ndihmave.

Megjithatë, hapat e ardhshëm drejt një paqeje të qëndrueshme nuk janë finalizuar ende.

Gjithashtu, të tre vendet e përfaqësuara nga kancelari Friedrich Merz, presidenti Emmanuel Macron dhe kryeministri Keir Starmer bënë një deklaratë lidhur me luftën në Ukrainë.

“Së bashku me SHBA-në, jemi të gatshëm të avancojmë drejt përdorimit, në një mënyrë të koordinuar, të aseteve sovrane ruse të ngrira – për të mbështetur forcat e armatosura të Ukrainës dhe duke nxitur Rusinë të ulet në tavolinën e bisedimeve”, thanë ata.

Deklarata e përbashkët përmendi gjithashtu Iranin, duke theksuar se të tre qeveritë kishin rënë dakord që rivendosja e sanksioneve ndërkombëtare kundër Teheranit ishte e nevojshme në kuadër të programit bërthamor të vendit.

“Ne jemi të vendosur të rifillojmë negociatat me Iranin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe të verifikueshme që siguron që Irani të mos ndërtojë kurrë armë bërthamore”, thuhet në deklaratë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›