E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Ministri Saar: Izraeli nuk kërkon luftë pafund me Iranin

JERUSALEM, 10  nëntor /ATSH-DPA/ – Izraeli nuk po kërkon një “luftë pafund” me Iranin, deklaroi sot ministri i Jashtëm Gideon Saar, gjatë një takimi në Jerusalem me homologun e tij gjerman Johann Wadephul.

Saar tha se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur tashmë “suksese të mëdha” në konfliktin që nisi më 28 shkurt dhe që është përshkallëzuar në të gjithë Lindjen e Mesme.

Ministri izraelit pranoi se regjimi iranian “nuk mund të rrëzohet pa popullin e Iranit”. “Kjo është e qartë,” tha ai ,“Por pa ndihmë nga jashtë, populli iranian nuk mund ta rifitojë lirinë e tij”, shtoi Saar.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka bërë thirrje që populli iranian të ngrihet kundër udhëheqjes në Teheran dhe ta rrëzojë atë.

Wadephul, ministri i parë i Jashtëm nga një vend evropian që viziton Izraelin që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, zhvilloi bisedime me Saar në Jerusalem.

Dy ministrat vizituan gjithashtu qytetin Beit Shemesh, në perëndim të Jerusalemit, për të parë dëmet e shkaktuara nga një sulm Iranian me raketa. Nëntë persona u vranë dhe rreth 50 të tjerë u plagosën kur një raketë goditi qytetin më 1 mars.

Në total, sipas autoriteteve izraelite, 13 persona kanë humbur jetën në Izrael nga sulmet iraniane që nga fillimi i luftës, e cila nisi me ofensivën e gjerë ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Teheranit.

Vizita e ministrit gjerman erdhi pas takimeve që ai zhvilloi më herët gjatë ditës në Nikosia me homologun e tij qipriot Konstantinos Kombos. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›