E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Modi viziton Zelandën e Re, i pari kryeministër indian në 40 vjet

UELLINGTON, 10 korrik /ATSH -AA/ – Kryeministri indian, Narendra Modi, filloi të premten udhëtimin e tij në Zelandën e Re, duke shënuar vizitën e parë të një lideri të këtij kombi të Azisë Jugore në 40 vjet.

Kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, priti homologun Modi në aeroport.

Modi është kryeministri i parë indian që viziton Zelandën e Re që nga vizita e ish-kryeministrit indian Rajiv Gandhi në tetor 1986.

Menjëherë pas zbarkimit në Auckland, Modi tha se mezi priste të zhvillonte bisedime me Luxon dhe të diskutonte “rrethin e plotë” të “miqësisë” Indi-Zelandë e Re.

Vizita “është e vendosur për të forcuar lidhjet dypalëshe dhe për të hapë rrugë të reja bashkëpunimi në disa fusha, veçanërisht në tregti, mbrojtje, sport, kulturë, arsim dhe shkëmbime mes njerëzve”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Indisë, Randhir Jaiswal.

Vizita vjen mes tensioneve brenda qeverisë së koalicionit në Zelandën e Re pasi nënshkroi një marrëveshje të tregtisë së lirë me Indinë në fillim të këtij viti.

Ministri i Jashtëm i Zelandës së Re, Winston Peters, partia e të cilit Zelanda e Parë e ka kundërshtuar marrëveshjen, pritet të anashkalojë udhëtimin e Modit gjatë vizitës në Japoni.

India dhe Zelanda e Re regjistruan një vlerë totale tregtare prej 1,75 miliardë dollarësh në 2023-2024.  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›