FOKUS – Padi kundër ”Charlie Hebdo” pas karikaturës për tragjedinë e Crans-Montanas

GJENEVË, 12 janar /ATSH-AFP/ – Një avokat dhe gruaja e tij, një shkrimtare, kanë ngritur një padi në Zvicër kundër revistës satirike franceze ”Charlie Hebdo”, pas botimit më 9 janar të një karikature në lidhje me zjarrin vdekjeprurës në një bar në resortin e skive Crans-Montana, raportuan sot mediet zvicerane.
Padia, e paraqitur nga Stéphane dhe Béatrice Riand në zyrën e prokurorit publik në kantonin Valais (Zvicra jugperëndimore), synon gjithashtu karikaturistin, Eric Salch.
Karikatura përshkruan dy skiatorë me lëkurë të nxirë dhe fasha që zbresin me shpejtësi një shpati të shënuar nga një tabelë që shkruan “Crans-Montana”, e shoqëruar nga mbishkrimet “Viktimat e djegies shkojnë për ski” dhe “Komedia e vitit”, një referencë për filmin komedi të vitit 1979 “Les Bronzés font du ski”.
Karikatura u botua më 9 janar, e shpallur ditë zie kombëtare në Zvicër në nderim të viktimave të tragjedisë që la 40 të vdekur – kryesisht adoleshentë dhe të rinj – dhe 116 të plagosur në natën e Vitit të Ri.
Disa të huaj ishin midis viktimave, përfshirë francezë dhe italianë.
I kontaktuar nga AFP, ”Charlie Hebdo” nuk pranoi të komentojë.
”Kjo karikaturë përshkruan grafikisht vetë viktimat, të përdorura si element qendror i një mesazhi satirik që kufizohet me poshtërimin”, shkruan çifti Riand në ankesën e tij, e cila u botua nga faqja e lajmeve 1dex.ch me seli në Valais.
“Transformimi simbolik i viktimave të vërteta në aktorë të qeshur në një tragjedi – për të cilën ata nuk mbajnë asnjë përgjegjësi – përbën një dehumanizim grafik, të papajtueshëm me respektin minimal që i takon dinjitetit njerëzor”, argumentuan ata, duke pohuar se “në këtë rast të veçantë, respekti për dinjitetin njerëzor ka përparësi mbi lirinë e shprehjes”.
Ata po kërkojnë që zyra e prokurorit publik të Valais të hapë një hetim penal kundër stafit menaxhues të ”Charlie Hebdo” dhe karikaturistit të saj, dhe që të ngrejë një kërkesë për kompensim që do t’u ndahet nga kantoni i Valais të gjitha viktimave./ a.jor.