E Diel, 1 Nëntor 2026

Vijon shpërndarja e ndihmave për familjet e prekura nga përmbytjet në Shkodër

TIRANË, 12 janar /ATSh/ Të gjitha strukturat përkatëse qendrore dhe vendore janë angazhuar për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës, si pasojë e reshjeve intensive të shiut të ditëve të fundit.

Bashkia Shkodër, në bashkëpunim me institucionet qendrore, Forcat e Armatosura dhe strukturat e Emergjencave Civile, po vijon ndërhyrjet në terren për menaxhimin e situatës dhe mbështetjen e familjeve të prekura. Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci ndau pamje nga operacionet e ndihmës, ku shfaqen ndërhyrje të ndryshme në zonat e përmbytura.

Sipas Becit, strukturat bashkiake në bashkëpunim me Forcat e Armatosura janë të angazhuara në shpërndarjen e ndihmave ushqimore për familjet, banesat e të cilave janë përmbytur nga uji, si dhe në sigurimin e bazës ushqimore për bagëtinë, me qëllim lehtësimin e situatës për banorët dhe fermerët e zonave të prekura.

Ai bëri të ditur se edhe gjatë ditës së sotme ka vijuar shpërndarja e ndihmave nga Bashkia Shkodër, në bashkëpunim me Rezervat e Shtetit, konkretisht për zonën e Obotit, një nga zonat më të prekura nga përmbytjet.

Në kuadër të këtij operacioni janë shpërndarë koncentrat për bagëtitë dhe ujë i pijshëm, për të minimizuar vështirësitë e shkaktuara nga prania e ujit dhe për të garantuar furnizimin bazë për familjet e prekura.

Autoritetet vendore bëjnë me dije se ndihma po shpërndahet për çdo familje të prekur nga përmbytjet dhe se angazhimi do të vijojë deri në normalizimin e plotë të situatës, ndërkohë që strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri për të përballuar çdo zhvillim të mëtejshëm të situatës.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›