FOKUS – Pakistani: India do të sulmojë brenda 36 orëve

NJU DELHI, 30 prill /ATSH/- Tensionet midis Indisë dhe Pakistanit janë përshkallëzuar – pasi një zyrtar i lartë pakistanez tha sot në mëngjes se kishte “informacion të besueshëm” se Nju Delhi do të kryente një veprim ushtarak kundër Islamabadit brenda dy ditëve të ardhshme, sipas CNN.
Ky pretendim erdhi ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina bënë thirrje për vetëpërmbajtje.
“Pakistani ka informacion të besueshëm se India synon të kryejë veprime ushtarake kundër Pakistanit në 24-36 orët e ardhshme”, tha ministri i Informacionit i Pakistanit, Attaullah Tarar, në një postim të pazakontë në X.
Deklarata e Tarar vjen një javë pasi militantët vranë 26 turistë në qytetin malor Pahalgam, në Kashmirin e administruar nga India, një masakër që ka shkaktuar zemërim të gjerë.
India ka akuzuar Pakistanin për përfshirje në sulm – një pretendim që Islamabadi e ka mohuar. Pakistani ka ofruar një hetim neutral për incidentin.
CNN ka kontaktuar ministrinë e mbrojtjes të Indisë për përgjigje ndaj pretendimeve të Tararit.
Kashmiri, një nga pikat më të rrezikshme në botë, kontrollohet pjesërisht nga India dhe Pakistani, por të dy vendet e pretendojnë atë në tërësi.
Dy rivalët e armatosur me armë bërthamore kanë zhvilluar tre luftëra për territorin malor – që tani është i ndarë nga një kufi de facto i quajtur “Vija e Kontrollit” që nga pavarësia e tyre nga Britania e Madhe – gati 80 vjet më parë.
Sulmi i javës së kaluar shkaktoi menjëherë zemërim në Indi dhe kryeministri Narendra Modi është nën presion të jashtëzakonshëm për t’u hakmarrë.
India kreu sulme ajrore brenda Pakistanit në vitin 2019 – pas një sulmi të madh kryengritës ndaj personelit paraushtarak brenda Kashmirit të administruar nga India.
Ky është inkursioni i parë në territorin e Pakistanit që nga një luftë e vitit 1971 midis dy fqinjëve.
Sulmi i fundit ndaj turistëve në Kashmir ka ngjallur frikën se India mund të përgjigjet në një mënyrë të ngjashme.
“Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Indisë dhe kryeministrin e Pakistanit – duke i nxitur të dy vendet të punonin së bashku për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve”, sipas njoftimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH). //a.i/