E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Pakistani nis sulme ajrore vdekjeprurëse në Afganistan, rindizen tensionet mes dy vendeve

ISLAMABAD/ KABUL, 10 qershor /ATSH/- Pakistani ka kryer sulme ajrore vdekjeprurëse përgjatë kufirit me Afganistanin, duke i dhënë fund muajve të qetësisë relative, në rajonin e trazuar dhe duke rritur sërish tensionet mes dy vendeve fqinje, raportoi BBC.

Ministri pakistanez i Informacionit, Attaullah Tarar deklaroi se 26 militantë u vranë në “sulme të kalibruara” kundër katër objektivave.

Ndërkohë, qeveria talebane e Afganistanit tha se nga bombardimet pakistaneze në tre provinca u vranë 13 persona, shumica prej tyre fëmijë.

Pakistani prej kohësh, akuzon Afganistanin se po strehon grupe terroriste, që kryejnë sulme në territorin e tij, akuza që autoritetet talebane i mohojnë vazhdimisht.

Në muajin shkurt, përplasjet mes dy vendeve shkaktuan dhjetëra të vrarë, ndërsa në mars një sulm ajror pakistanez ndaj një qendre rehabilitimi, për përdoruesit e drogës në Kabul shkaktoi qindra viktima.

Të dyja palët kishin rënë dakord për një armëpushim në tetor të vitit të kaluar, pas disa javësh përleshjesh të përgjakshme.

Tarar tha se sulmet e sotme ishin një përgjigje ndaj “incidenteve të fundit terroriste në Pakistan” dhe kishin në shënjestër “strehëza dhe baza të sigurta” pranë kufirit, përfshirë një qendër stërvitore dhe një depo municionesh.

Bombardimet erdhën një ditë pas një sulmi ndaj forcave të sigurisë pranë Peshawarit, ku sipas qeverisë pakistaneze humbën jetën të paktën gjashtë oficerë.

Më herët, zëdhënësi i qeverisë talebane, Zabihullah Mujahid tha se nga sulmet pakistaneze në provincat Kunar, Khost dhe Paktika u vranë 11 fëmijë, një grua dhe një i moshuar.

Sipas tij, edhe 14 gra dhe fëmijë të tjerë mbetën të plagosur nga bombardimet.

Afganistani ka deklaruar vazhdimisht se territori i tij nuk përdoret për të kërcënuar vende të tjera.

Përleshjet e fundit të shkurtit, përfshinë një ofensivë të forcave talebane kundër bazave ushtarake pakistaneze pranë kufirit.

Pakistani iu kundërpërgjigj me sulme ajrore ndaj objektivave në Kabul dhe në provincat Kandahar e Paktika, pranë kufirit 2 600 kilometra me Afganistanin.

Më 16 mars, një sulm ajror pakistanez goditi Spitalin e Rehabilitimit “Omid” në Kabul, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 269 personave, sipas një raporti të OKB-së.

Ai konsiderohet sulmi më vdekjeprurës i kryer në historinë e fundit të Afganistanit, përfshirë edhe luftën 20-vjeçare mes talebanëve, forcave të NATO-s dhe të qeverisë afgane. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›