FOKUS - Pasiguria për raketat "Patriot", NATO shqetësohet për vonesat amerikane ndaj Ukrainës - ATSH -
BRUKSEL, 1 nëntor /ATSH/ – Aleatët e NATO-s po shprehin gjithnjë e më shumë shqetësim se Ukraina nuk do të marrë raketat amerikane “Patriot”, për të cilat ka nevojë urgjente, përpara zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, sipas Euronews.
Dyshimet janë shtuar se presidenti amerikan Donald Trump po e përdor ndihmën ushtarake si mjet presioni ndaj Kievit për ta shtyrë drejt një marrëveshjeje paqeje që mund të përfshijë lëshime territoriale.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka deklaruar se vendi i tij është ende në pritje të miratimit amerikan për dërgimin e raketave të tjera interceptuese.
Ndërkohë, burime të NATO-s e kanë cilësuar situatën si të paparashikueshme, në një kohë kur mbrojtja ajrore ukrainase po përballet me vështirësi për të përballuar sulmet intensive ruse.
Sipas Zelenskyt, Rusia ka lëshuar më shumë se 100 raketa balistike drejt Kievit dhe rajonit përreth gjatë dy javëve të fundit.
SHBA-ja prodhon rreth 60-65 raketa interceptuese “Patriot” në muaj, një sasi e pamjaftueshme për të përmbushur kërkesat e Ukrainës dhe të aleatëve të tjerë amerikanë.
Rezervat janë vënë nën presion të mëtejshëm për shkak të përdorimit të këtyre armëve në luftën kundër Iranit.
Në të njëjtën kohë, presidenti Trump i ka kërkuar Ukrainës të ndalojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, duke argumentuar se ato ndikojnë në rritjen e çmimeve globale të energjisë.
Sipas ish-ambasadorit amerikan në NATO, Kurt Volker, presidenti dëshiron të tregojë përpara zgjedhjeve se po ndërmerr hapa për të ulur kostot e karburanteve për qytetarët amerikanë.
Shqetësimi evropian lidhet edhe me mundësinë që Uashingtoni të ushtrojë presion mbi Kievin për të pranuar një marrëveshje me Moskën.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u ka kërkuar vendeve anëtare të dërgojnë sistemet e tyre Patriot në Ukrainë, por Greqia dhe Spanja, që disponojnë rezerva të konsiderueshme të raketave PAC-2, ende nuk i janë përgjigjur kësaj kërkese. /Ad.Ab./
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
