Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Bullgari/ Lufta në Ukrainë dhe raportet me Moskën ndajnë dy kandidatët

Qytetarët e Bullgarisë votojnë këtë të diel në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, në një proces që zhvillohet në një klimë të polarizuar politike dhe mes shqetësimeve në rritje për sigurinë në rajonin e Detit të Zi. Në garë janë presidentja në detyrë Iliana Jotova dhe kandidati i opozitës pro-perëndimore, Andrej Gjurov. Në qendër të debatit elektoral janë qëndrimet ndaj Rusisë, lufta në Ukrainë dhe orientimi i ardhshëm i politikës së jashtme bullgare.
Në raundin e parë, të zhvilluar më 25 tetor, Jotova siguroi 34,76 për qind të votave, kundrejt 31,95 për qind të Gjurovit. Megjithatë, pjesëmarrja ishte rekord e ulët, me vetëm rreth 23 për qind të votuesve që morën pjesë në proces.
Dy kandidatët përfaqësojnë qëndrime të ndryshme për marrëdhëniet me Moskën dhe mbështetjen ndaj Ukrainës.
Iliana Jotova, e mbështetur nga partia “Bullgaria Progresive” e kryeministrit Rumen Radev, mban një qëndrim më të favorshëm ndaj dialogut me Rusinë. Ajo mbështet integrimin evropian të Bullgarisë, por kërkon njëkohësisht marrëdhënie më të mira me Moskën dhe negociata për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Gjatë një debati televiziv me kundërshtarin e saj, Jotova mbrojti idenë se paqja mund të arrihet vetëm përmes negociatave. Ajo propozoi gjithashtu një takim për sigurinë, ku të përfshiheshin gjashtë vendet që lagen nga Deti i Zi, me synimin për të arritur një moratorium të armiqësive në rajon.
Jotova kundërshton vazhdimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, duke argumentuar se kjo sjell më shumë shkatërrim dhe viktima.
Në krahun tjetër, kandidati i opozitës Andrej Gjurov përfaqëson një orientim më të qartë pro-perëndimor. Ekonomist me profesion, ish-zëvendësguvernator i Bankës Qendrore dhe ish-kryeministër i përkohshëm në fillim të vitit 2026, ai mbështetet nga forcat opozitare pro-evropiane dhe reformiste.
Gjurov kërkon që Bullgaria të jetë një aleate më e besueshme e NATO-s dhe të mbajë një qëndrim më të vendosur ndaj agresionit rus. Gjatë kohës në krye të qeverisë së përkohshme, ai nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi për sigurinë me Ukrainën dhe ka shprehur vazhdimisht mbështetje për Kievin.
Gjatë debatit televiziv, ai kritikoi Jotovën për shmangien e përgjegjësisë së Rusisë për kërcënimet në Detin e Zi, duke kërkuar që Moska të identifikohet qartë si burimi i agresionit. Sipas tij, Bullgaria duhet të ketë një rol më aktiv në vendimmarrjen evropiane dhe të mos qëndrojë në periferi të proceseve ndërkombëtare.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

