E Enjte, 5 Nëntor 2026

FOKUS – Për herë të parë, Kievi sulmon Rusinë me raketa britanike “Storm Shadow”.

KIEV, 21 nëntor /ATSH-DPA/- Sirenat e sulmit ajror u aktivizuan në të gjithë Ukrainën në orët e para të mëngjesit, ndërsa Rusia nisi një valë të re sulmesh ajrore me raketa hipersonike dhe ndërkontinentale, thanë zyrtarët.

“Një raketë hipersonike ruse Kinzhal goditi sot rajonin e Dnipropetrovskut”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Ukrinform”.

Raketa ishte lëshuar nga një avion luftarak MiG-31.

Forcat ajrore ukrainase raportuan se në sulm ishte përfshirë edhe një raketë balistike ndërkontinentale. Ajo ishte lëshuar nga rajoni Astrakhan në Detin Kaspik.

Përveç raketës hipersonike “Kinzhal”, u përdorën edhe shtatë raketa të fshehta të tipit Kh-101.

“Këto raketa, të pajisura me teknologji “stealth”, ka të ngjarë të jenë lëshuar nga bombarduesit strategjikë “Tu-95″ pranë qytetit të Engels në rajonin jugor të Saratovit të Rusisë”, tha ushtria ukrainase.

Ndërkohë, Instituti për Studimin e Luftës (ISW) raportoi dje në mbrëmje se Ukraina duket se ka përdorur për herë të parë raketa “Storm Shadow” të prodhimit britanik kundër objektivave në Rusi.

Studimi me qendër në Uashington, duke cituar imazhe pas sulmit, raportoi se Ukraina kishte shënjestruar me sukses selinë e kundërofensivës në Kursk të Moskës dje në mëngjes.

Sulmi ukrainas kishte shënjestruar selinë ruso-koreane në rajonin Kursk të Rusisë, duke përdorur raketa “Storm Shadow” dhe drone luftarake.

Ushtria ruse thuhet se ka dislokuar rreth 50 000 trupa pranë Kurskut, duke përfshirë rreth 10 000 ushtarë të Koresë së Veriut – për një kundërofensivë që synon rimarrjen e territorit të mbajtur nga forcat ukrainase që nga vera.

Analiza e ISW sugjeron se vendimi i Uashingtonit për të lejuar Ukrainën të përdorë armë të avancuara kundër objektivave në territorin rus – mund të ketë hapur rrugën për vendosjen e sistemeve të ngjashme nga Britania e Madhe.

Megjithatë, qeveria britanike deri më tani ka refuzuar të komentojë mbi këtë çështje.

Moska aktualisht kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, duke përfshirë gadishullin e Krimesë, të cilin e aneksoi ilegalisht në 2014. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›