FOKUS – Përshkallëzohet tensioni mes Iranit dhe SHBA-së pas goditjes së tankerit në Ngushticën e Hormuzit

LONDËR/ TEHERAN, 4 MAJ /ATSH-DPA/- Një tjetër anije është sulmuar në Ngushticën e Hormuzit, njoftoi sot në mëngjes Agjencia e Operacioneve të Tregtisë Detare të Britanisë së Madhe (UKMTO).
Sipas UKMTO-së, një tanker raportoi se është goditur nga “predha të panjohura” dje në mbrëmje në këtë rrugë ujore me rëndësi strategjike, rreth 145 kilometra në veri të Fujairah, në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Ekuipazhi është i sigurt dhe nuk është raportuar asnjë ndikim mjedisor”, shtoi agjencia.
Vetëm disa orë më herët, UKMTO-ja kishte bërë të ditur se një anije mallrash në të njëjtën ngushticë ishte sulmuar nga disa mjete të vogla lundruese.
Irani, më herët paralajmëroi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rrezikun e çdo veprimi në këtë zonë.
“Çdo ndërhyrje amerikane do të konsiderohej shkelje e armëpushimit”, deklaroi Ebrahim Azizi, kreu i komisionit të sigurisë në parlamentin iranian, në platformën X.
Ai shtoi se Ngushtica e Hormuzit dhe Gjiri Persik nuk do të menaxhohen nga “postimet iluzionare” të presidentit amerikan Donald Trump.
Paralajmërimi erdhi pasi Trump njoftoi se SHBA-ja do të nisë sot operacionin “Project Freedom” për të ndihmuar anijet e bllokuara nga bllokada në Ngushticën e Hormuzit, duke kërcënuar me veprime të ashpra ndaj çdo pengese.
Që nga fillimi i luftës me Iranin, janë raportuar sulme të përsëritura ndaj anijeve në këtë zonë.
Para konfliktit, rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) që tregtohej në botë kalonte përmes kësaj rruge detare.
Irani, i cili është sulmuar nga SHBA-ja dhe Izraeli, ka kontrolluar ngushticën që nga fillimi i luftës dhe ka ndikuar ndjeshëm në bllokimin e trafikut detar përmes kërcënimeve dhe sulmeve.
Ndërkohë, SHBA-ja ka vendosur gjithashtu një bllokadë detare ndaj Iranit.
Aktualisht është në fuqi një armëpushim, por bisedimet për një zgjidhje të qëndrueshme dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit nuk kanë sjellë ende ndonjë progres. //a.i/