FOKUS – Pirja njëkohësisht e duhanit dhe kafesë, një rrezik serioz për zemrën

ATHINE, 20 nëntor /ATSH/ – Studimi se kokteji mes cigares dhe kafes është i dëmshëm për shëndetin kardiovaskular tashmë është konfirmuar nga studiuesit, shkruan focus.it.
Frymë e keqe, gishta dhe dhëmbë të verdhë, zemër e dobët. Ja arritjet për ata që nuk mund të heqin dorë nga kafeja dhe cigaret.
Sipas duhanpirësve, nuk ka asgjë më të mirë se kafeja dhe një cigare për të inkurajuar një moment relaksi në një ditë stresuese dhe të ngarkuar.
Megjithatë, një ekip studiuesish grekë ka zbuluar së fundmi se kafeina dhe nikotina e marra në të njëjtën kohë krijojnë një koktej vdekjeprurës për zemrën tonë.
Efektet e pirjes së duhanit në sistemin kardiovaskular mjerisht janë të njohura dhe prej disa kohësh disa mjekë pohojnë se edhe kafeja mund të jetë e rrezikshme.
Kafeja e përzier me nikotinë
Studimi grek u nda në dy faza: një vlerësim i dëmit të menjëhershëm dhe një vlerësim afatmesëm. Në të dyja rastet u mat shkalla e ngurtësimit të aortës dhe fluksi i gjakut brenda saj, dy parametra themelorë për vlerësimin e rrezikut kardiovaskular.
Studimi, i kryer me 24 vullnetarë, nxori në pah se si të dyja substancat, të marra individualisht, janë të dëmshme për trupin.
Në të njëjtën kohë, megjithatë, doli se në një afat shumë të shkurtër, dëmi i shkaktuar nga veprimi i njëkohshëm i dy substancave është më i madh se ai i shkaktuar nga shuma e tyre ndarazi.
Mekanizmi që e bën të mundur këtë sinergji të dëmshme nuk është ende i qartë, por studime të tjera të kryera në të kaluarën kishin nxjerrë në pah tashmë sesi kombinimi i kafesë dhe cigareve ndikoi negativisht në presionin e gjakut, duke rritur rrezikun e sulmit në zemër.
Studiuesit konfirmojnë se lënia e duhanit është ende hapi i parë dhe më i rëndësishëm drejt arritjes së shëndetit të zemrës: ata që me të vërtetë nuk mund të heqin dorë nga duhani duhet të paktën të jenë të kujdesshëm që të mos i lidhin me konsumimin e kafesë ose pijeve me kafeinë. /os/