FOKUS – Protesta të mëdha antiqeveritare në Teheran dhe qytete të tjera iraniane

TEHERAN, 8 janar /ATSH/- Videot e postuara në mediet sociale tregojnë turma të mëdha protestuesish që marshojnë nëpër Teheran dhe qytete të tjera iraniane – në atë që thuhet të jetë shfaqja më e madhe e forcës nga kundërshtarët e establishmentit klerikal ndër vite, sipas BBC.
Protestat në Teheran dhe qytetin e dytë më të madh të Iranit, Mashhad, mund të shihen në pamjet e verifikuara nga “BBC Persian”, të cilat tregojnë demonstrata paqësore që nuk u shpërndanë nga forcat e sigurisë.
Dje u raportuan përleshje të dhunshme në një numër qytetesh.
Turmat në Mashhad bënë thirrje për rrëzimin e Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, dhe kthimin e Reza Pahlavi, djalit në mërgim të ish-monarkut të ndjerë, i cili i kishte nxitur mbështetësit e tij të dilnin në rrugë.
“Kjo është dita e 12-të radhazi e trazirave në Iran, të cilat kanë përfshirë protesta në 140 qytete dhe qyteza në të gjitha 31 provincat”, sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me qendër në SHBA.
HRANA raportoi se të paktën 34 protestues dhe shtatë punonjës nga personeli i sigurisë janë vrarë gjatë trazirave dhe se 2 270 protestues janë arrestuar.
Një grup tjetër aktivistësh, “Iran Human Rights” me qendër në Norvegji, tha se të paktën 45 protestues, përfshirë tetë fëmijë, janë vrarë nga forcat e sigurisë.
“BBC Persian” ka konfirmuar vdekjen dhe identitetin e 21 personave, ndërsa autoritetet iraniane kanë raportuar vdekjen e pesë punonjësve nga personeli i sigurisë.
Protestat filluan më 28 dhjetor, kur shitësit e dyqaneve dolën në rrugët e kryeqytetit, Teheran, për të shprehur zemërimin e tyre për një rënie tjetër të ndjeshme të vlerës së monedhës iraniane, rialit, kundrejt dollarit amerikan në tregun e hapur.
Riali ka rënë në një nivel të ulët gjatë rekord vitin e kaluar dhe inflacioni është rritur në 40%, ndërsa sanksionet ndaj programit bërthamor të Iranit “shtrydhin” ekonominë e dobësuar nga keqmenaxhimi dhe korrupsioni i qeverisë.
Studentët e universitetit iu bashkuan protestave, të cilat filluan të përhapeshin në qytete të tjera, me turma që dëgjoheshin shpesh duke brohoritur slogane kundër establishmentit klerikal. //a.i/