E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri në magazinat e tregut te “5 Maji” drejt shuarjes

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Zjarri masiv që përfshiu mbrëmjen e sotme magazinat e tregut të rrobave të përdorura në rrugën “5 Maji” në Tiranë është drejt shuarjes.

Shërbimi zjarrfikës aktualisht po vijon punën intensive për eliminimin e të gjitha vatrave më të vogla.

Për shkak të përmasave të mëdha të zjarrit, për shuarjen e tyre u angazhuan edhe zjarrfikëset e qyteteve të Vorës dhe Elbasanit, si dhe forcat e ushtrisë.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anduela Ristani konfirmoi nga vendngjarja se zjarri u përhap në dy kapanone por nuk pati rrezik për zonat e banuara përreth.

Prefekti i Tiranës, Afrim Qendro, bëri të ditur se ndërhyrja ishte vështirë për shkak të sipërfaqes së gjerë dhe materialeve të djegshme që ndodheshin në magazina, ndërsa në operacion u angazhuan rreth 60 forca zjarrfikëse.

Në vendngjarje ishin të pranishme edhe forca të shumta policie, të cilat vendosën një perimetër sigurie, ndërsa situata u monitorua në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat e emergjencave civile.

Edhe Ministria e Mbrojtjes dislokoi dy automjete zjarrfikëse dhe forca shtesë nga reparti i Zall-Herrit, për të mbështetur përpjekjet e forcave civile në terren.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin zonën për të mos penguar ndërhyrjen e mjeteve të emergjencës.

Paraprakisht u raportua se nuk ka persona të lënduar, ndërsa dyshohet se ka dëme të mëdha materiale.

Ende nuk është i qartë shkaku i zjarrit. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›