E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – Ruanda do të pranojë deri në 250 emigrantë nga SHBA-ja

KIGALI, 8 gusht /ATSH/ – Qeveria e Ruandës tha se do të pranojë deri në 250 emigrantë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas një marrëveshjeje të arritur me Uashingtonin, por pa dhënë detaje mbi kategoritë e personave që mund të zhvendosen në vend, sipas ”The Guardian”.

Fushata e dëbimeve e administratës Trump ka përfshirë edhe marrëveshje për të dërguar persona në vende të treta, ndër të cilat Sudanin e Jugut dhe Esvatinin.

 “Ruanda ka rënë dakord me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të pranojë deri në 250 emigrantë,” tha zëdhënësja e qeverisë, Jolande Makolo.

Sipas saj, marrëveshja u pranua sepse pothuajse çdo familje ruandeze kishte përjetuar vështirësitë e zhvendosjes.

Emigrantëve që mbërrijnë do t’u ofrohet trajnim, kujdes shëndetësor dhe strehim.

Nuk ka ende një afat kohor për zbatimin e planit, ndërsa qeveria tha se detaje të tjera do të jepen më vonë.

Që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump ka ndërmarrë disa hapa për të përshpejtuar dëbimin e emigrantëve të paligjshëm drejt vendeve që nuk janë vendlindja e tyre.

Administrata e tij e ka mbrojtur këtë praktikë duke thënë se disa shtete nuk pranojnë kthimin e shtetasve të tyre. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›