NJU JORK – OKB e alarmuar nga vendimi i Izraelit për të pushtuar Gazën

NJU JORK, 8 gusht /ATSH-DPA/- Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se është i alarmuar nga vendimi i qeverisë izraelite për të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës.
“Ky vendim shënon një përshkallëzim të rrezikshëm dhe rrezikon të thellojë pasojat, tashmë katastrofike për miliona palestinezë, dhe mund të rrezikojë më tej jetë të tjera, përfshirë edhe pengjet e mbetura”, tha sot zyra e tij në Nju Jork.
“Sekretari i përgjithshëm paralajmëron se ky përshkallëzim i mëtejshëm do të rezultojë në zhvendosje të detyruara shtesë, vrasje dhe shkatërrim masiv, duke përkeqësuar vuajtjet e paimagjinueshme të popullsisë palestineze në Gazë”, sipas deklaratës.
“Sekretari i përgjithshëm përsërit thirrjen e tij urgjente për një armëpushim të përhershëm, akses të papenguar humanitar në të gjithë Gazën dhe lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë pengjeve”, thuhet në deklaratë.
“Sekretari i përgjithshëm edhe një herë i kërkon Qeverisë së Izraelit të përmbushë detyrimet e saj sipas ligjit ndërkombëtar”, tha zyra e Guterres.
“Nuk do të ketë zgjidhje të qëndrueshme për këtë konflikt pa i dhënë fund këtij pushtimi të paligjshëm dhe pa arritur një zgjidhje të qëndrueshme me dy shtete. Gaza është dhe duhet të mbetet një pjesë integrale e një shteti palestinez”, sipas deklaratës.
Kabineti i Sigurisë në Izrael vendosi të intensifikojë më tej luftimet në rripin bregdetar të izoluar. //a.i/