FOKUS – Rumania kërkon të forcojë mbrojtjen ajrore pas sulmit me dron që i atribuohet Rusisë

PARIS, 3 qershor /ATSH-AFP/ – Romania dëshiron të forcojë kapacitetet e saj të mbrojtjes ajrore me ndihmën e aleatëve, pasi dy persona u plagosën nga një dron që goditi një pallat në qytetin Galați pranë kufirit me Ukrainën.
Ministrja e Jashtme rumune, Oana Toiu, deklaroi sot në Paris se nuk ka ende prova që droni kishte për qëllim territorin rumun, por se përgjegjësia bie mbi Rusinë për shkak të luftës që ka nisur kundër Ukrainës.
“Është e qartë se duhet të rrisim monitorimin ajror dhe kapacitetet e mbrojtjes ajrore në të gjithë krahun lindor të NATO-s”, tha ajo.
Sipas Toiu, situata është veçanërisht e ndjeshme për Rumaninë, e cila ka një kufi të gjatë me Ukrainën përgjatë lumit Danub dhe deri në Detin e Zi.
Ajo theksoi se pajisjet e reja të mbrojtjes që janë porositur nga Rumania pritet të mbërrijnë vetëm pas një ose dy vitesh. Ndërkohë, Bukureshti po zhvillon bisedime me NATO për të rritur kapacitetet mbrojtëse në afat të shkurtër dhe po bashkëpunon me Ukraine për një projekt të përbashkët kundër dronëve.
Toiu zbuloi se autoritetet rumune kishin identifikuar dronin më 29 maj, por pilotët e forcave ajrore vendosën të mos e rrëzonin, nga frika se raketa e mbrojtjes ajrore mund të shkaktonte dëme më të mëdha në tokë.
Megjithëse ky ishte rasti i parë që shkaktoi viktima në territorin rumun, ministrja tha se janë regjistruar më shumë se 40 raste të hyrjes së dronëve në hapësirën ajrore të Rumanisë që nga fillimi i luftës.
Presidenti rumun Nicusor Dan deklaroi gjatë fundjavës se hetimet paraprake kanë identifikuar dronin si një model “Geran-2”, me origjinë ruse.
Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin tha se askush nuk mund të përcaktojë me siguri origjinën e mjetit fluturues pa përfunduar një hetim i plotë teknik.
Lidhur me luftën, Toiu vlerësoi se Ukraina është tashmë më e fortë në mbrojtjen e vijës së frontit dhe e gatshme për bisedime armëpushimi, por shtoi se nevojitet presion më i madh ndaj Moskës për ta nxitur drejt diplomacisë.
Ajo përfundoi se, sipas vlerësimit të saj, aktualisht “nuk ekziston asnjë skenar” në të cilin Rusia mund të pretendojë një fitore të plotë në luftë. /Ad.Ab./