E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Rusia tregon interes për Arktikun, ndërsa SHBA synon Groenlandën

MOSKË, 15 janar /ATSH-DPA/ – Duke marrë parasysh pretendimet e presidentit amerikan Donald Trump për Groenlandën, Rusia ka paralajmëruar se interesat e saj në Arktik nuk duhet të injorohen.

”Çdo përpjekje për të shpërfillur interesat e Rusisë në rajonin polar, mbi të gjitha në fushën e sigurisë, nuk do të mbetet pa përgjigje dhe do të ketë pasoja shumë të gjera”, tha në Moskë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Trump shpesh përmend aktivitetet ruse dhe kineze pranë ishullit arktik si justifikim për kërkesën e tij për kontroll mbi Grenlandën, duke argumentuar se prania e tyre e bën këtë masë tokësore thelbësore për nevojat e sigurisë së SHBA-së.

Zakharova kritikoi misionin e zbulimit ushtarak të disa shteteve evropiane të NATO-s për të mbrojtur më mirë ishullin autonom që i përket Danimarkës, duke e quajtur atë provokimin e radhës nga vendet perëndimore, të cilat, sipas saj, synojnë të imponojnë rendin e tyre edhe në këtë rajon të botës.

Ajo tha se shtetet evropiane duhet të jenë të vetëdijshme se veprime të tilla rrezikojnë sigurinë e Rusisë si një shtet arktik bregdetar i barabartë.

Rusia, e cila ka një vijë bregdetare shumë të gjatë në oqeanin Arktik, e konsideron Arktikun si sferë të interesit të saj.

Ajo po rrit përdorimin e rrugëve detare në këtë rajon dhe po zgjeron praninë e saj ushtarake./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›