E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Sa më shumë përtypim, aq më shumë zvogëlojmë rrezikun e Alzheimerit

STOKHOLM, 30 maj /ATSH/ – Studiuesit e Karolinska Institutet në Stokholm arritën në konkluzionin se sikurse një pompë shtyn ujin edhe përtypja funksionon pikërisht kështu.

Ajo ndikon në aftësinë tonë për të përpunuar informacionin, për të kujtuar dhe madje për t’u relaksuar, duke larguar ankthin dhe depresionin, shkruan salute.eu.

Por, ka edhe më shumë: një zbulim që shkon përtej kësaj.

Sa më shumë të përtypet, aq më shumë mund të luftohen Alzheimeri dhe forma të tjera të demencës.

Humbja e dhëmbëve, për shembull, është lidhur pikërisht me një rrezik më të lartë për t’u prekur nga këto sëmundje.

Në thelb, përtypja më e kujdesshme dhe më e fortë mund të sjellë një gamë të gjerë përfitimesh për shëndetin: nga përmirësimi i tretjes dhe ndihma për të konsumuar më pak kalori, te ulja e stresit dhe përmirësimi i funksioneve njohëse përmes forcimit të memories dhe rritjes së përqendrimit.

Teoria e Mats Trulsson

Me zhvillimin e mjeteve, përpunimin e ushqimeve dhe bujqësinë, si edhe me shpikjen e zjarrit për gatim, njeriu nuk pati më nevojë të përtypte për një kohë të gjatë, siç ndodhte dikur.

“Kur  hominidët filluan të braktisnin pyjet tropikale në favor të zonave pyjore më të hapura dhe ekosistemeve të ngjashme me savanën, ata u përballën me ushqime mekanikisht më të vështira për t’u përtypur”, shpjegon Adam van Casteren nga Max Planck Institute for Evolutionary Anthropology.

Sot ndodh që njerëzit të kalojnë rreth 35 minuta në ditë duke përtypur, krahasuar me 4,5 orë të të afërmve tanë më të afërt, si shimpanzetë dhe bonobot, dhe 6,6 orë të gorillave dhe orangutanëve.

Megjithatë, pavarësisht këtyre ndryshimeve evolutive, qëllimi i përtypjes mbetet i njëjtë.

“Ne gjitarët kemi një sistem kaq kompleks përtypjeje sepse duam të nxjerrim sa më shumë energji nga ushqimi për të ushqyer metabolizmin tonë me gjak të ngrohtë”, thekson Van Casteren.

Çfarë ndodh kur përtypim?

Procesi i përtypjes, që për ne duket kaq i thjeshtë, në fakt është shumë kompleks dhe prodhon efekte të shumta në organizëm. Ai e copëton ushqimin në grimca të vogla dhe e lag me pështymë, duke e bërë më të lehtë gëlltitjen.

“Është faza e parë e tretjes”, thonë ekspertët.

Përtypja jo vetëm rrit prodhimin e pështymës dhe sasinë e enzimave tretëse si amilaza, që ndihmojnë në shpërbërjen e ushqimit, por stimulon edhe zorrët dhe pankreasin të sekretojnë lëngje që kontribuojnë më tej në tretje. Praktikisht, nëse nuk përtypet siç duhet, zorra nuk është e përgatitur të përpunojë ushqimin.

“Copëtimi i ushqimit në pjesë më të vogla rrit gjithashtu sipërfaqen e tij”, shpjegon neuroshkencëtari orofacial Abhishek Kumar, që punon në Karolinska Institutet.

“Kjo do të thotë se lëngjet tretëse mund të veprojnë mbi ushqimin në mënyrë më efikase. Dhe kjo është e rëndësishme për shëndetin e zorrëve. Grimcat më të mëdha priren të qëndrojnë më gjatë në zorrë, duke u dhënë mikroorganizmave më shumë kohë për fermentim. Kjo shkakton fryrje, ndjesi rëndese, kapsllëk dhe simptoma të tjera”.

Çfarë ndodh me trurin?

Çfarë ndikimi mund të ketë një përtypje e mirë mbi aftësitë tona njohëse?

“Ka një interes gjithnjë në rritje për boshtin ‘kafshim-tru’, i cili propozon një lidhje të drejtpërdrejtë mes përtypjes dhe shëndetit të trurit”, sqaron Kumar.

Këtë e tregon edhe një studim i publikuar në Journal of the American Dental Association, i cili lidh humbjen e dhëmbëve me një rrezik më të lartë për sëmundjen e Alzheimerit dhe demencën.

Por, edhe memoria ndikohet. Në një studim të kryer mbi më shumë se 28 500 persona mbi 50 vjeç në 14 vende europiane, pjesëmarrësit me aftësi të mirë përtypjeje ose pa proteza dentare morën rezultate më të mira në një seri testesh njohëse. Ata treguan aftësi dukshëm më të larta në kujtesën e fjalëve, rrjedhshmërinë verbale dhe aftësitë numerike krahasuar me ata që kishin probleme me përtypjen.

Çfarë lidhje ka përtypja me memorien?

Por, pse aftësia për të përtypur duhet të lidhet me memorien?

Disa studiues tregojnë për rrjetet e shumta nervore që lidhin aparatin tonë të përtypjes me hipokampusin, rajoni i trurit përgjegjës për të mësuarit hapësinor dhe formimin e kujtimeve të reja, i cili është ndër të parët që dëmtohet nga Alzheimeri.

Të tjerë sugjerojnë se përtypja, veçanërisht e substancave mesatarisht të forta, mund të rrisë qarkullimin e gjakut në tru, siç është treguar nga studiues japonezë në eksperimente me persona që përtypnin çamçakëz./  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›