E Diel, 1 Nëntor 2026

“Science”: Kanceri i gjirit, ekspertët rishikojnë udhëzimet për depistimin me mamografi

TIRANË, 30 maj /ATSH/- Udhëzimet për kontrollin e kancerit të gjirit me mamografi, janë përditësuar sërish në SHBA, por rekomandimet vazhdojnë të ndryshojnë nga një organizatë mjekësore në tjetrën, duke krijuar debat mes ekspertëve për moshën dhe shpeshtësinë ideale të depistimit, sipas “Science”.

Sipas një udhëzimi të ri të Kolegjit Amerikan të Mjekëve (ACP), organizata më e madhe profesionale e mjekëve në SHBA, të botuar në revistën shkencore “Annals of Internal Medicine”, gratë pa simptoma dhe me rrezik mesatar për kancer gjiri duhet të kryejnë mamografi çdo dy vjet nga mosha 50 deri në 74 vjeç.

Për gratë e moshës 40 deri në 49 vjeç, mjekët rekomandojnë që vendimi të merret individualisht, pas konsultimit me specialistin dhe vlerësimit të faktorëve të rrezikut.

Studimi dhe rekomandimet u hartuan nga një grup ekspertësh të udhëhequr nga Dr. Amir Qaseem, pranë Kolegjit Amerikan të Mjekëve në Filadelfia, në bashkëpunim me studiues nga Shkolla e Shëndetit Publik e Universitetit Brown dhe Shkolla e Mjekësisë “David Geffen”në Universitetin e Kalifornisë (UCLA), Los Anxheles.

Autorët analizuan udhëzime dhe të dhëna shkencore nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, për të përditësuar rekomandimet mbi depistimin e kancerit të gjirit.

Sipas ekspertëve, mamografitë e shpeshta tek gratë më të reja, mund të sjellin më shumë rezultate false pozitive, ankth psikologjik, biopsi të panevojshme dhe raste të mbi-diagnostikimit.

Për këtë arsye, ACP rekomandon një qasje të personalizuar për grupmoshën 40-49 vjeç.

Megjithatë, jo të gjitha organizatat mjekësore ndajnë të njëjtin qëndrim.

Task Forca Amerikane për Shërbimet Parandaluese rekomandon mamografi çdo dy vjet që nga mosha 40 vjeç, ndërsa grupe të tjera, si Shoqata Amerikane e Kirurgëve të Gjirit, mbështesin mamografi vjetore duke nisur nga mosha 40 vjeç.

Ekspertët theksojnë se historia familjare, mutacionet BRCA (ndryshime ose defekte gjenetike), dendësia e lartë e gjirit, ekspozimi i mëparshëm ndaj rrezatimit dhe faktorë të tjerë individualë, mund të ndikojnë në kohën kur duhet të nisë depistimi dhe sa shpesh duhet të kryhet ai.

Rekomandimet e reja vijnë në një kohë kur, kanceri i gjirit mbetet një nga format më të zakonshme të kancerit tek gratë në nivel global, ndërsa mjekët kërkojnë balancim më të mirë, mes përfitimeve të zbulimit të hershëm dhe rrezikut të ekzaminimeve të panevojshme. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›