FOKUS – Sinirlioglu përfundon vizitën zyrtare në Shqipëri, pas pjesëmarrjes në KPE

TIRANË/VJENË, 17 maj /ATSH/ – Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Feridun H. Sinirlioglu përfundoi sot vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri, ku mori pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian duke theksuar kontributin e vazhdueshëm të OSBE-së në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Gjatë vizitës së tij, Sinirlioglu zhvilloi takime dypalëshe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrin e Jashtëm Igli Hasani, si dhe me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali.
Ai gjithashtu u takua me përfaqësues të angazhuar të shoqërisë civile dhe diskutoi punën e tyre me anëtarët e stafit në Praninë e OSBE-së në Shqipëri.
”Kjo vizitë nënvizon një angazhim të thellë të OSBE-së ndaj Shqipërisë dhe më gjerë ndaj Evropës Juglindore. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë në agjendën e saj të reformave përmes Pranisë sonë në OSBE, puna e së cilës vlerësohet shumë në vend”, tha Sinirlioglu.
Sekretari i përgjithshëm më pas përfaqësoi OSBE-në në Samitin e Gjashtë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) më 16 maj, i pari i mbajtur në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë samitit, i cili mblodhi së bashku kryetarët e shteteve dhe qeverive nga e gjithë Evropa, Sinirlioglu u takua me një numër udhëheqësish evropianë, përfshirë presidentin azer, Aliyev dhe kryeministrin armen, Pashinyan.
“Ndërsa shënojmë 50-vjetorin e parimeve themeluese të OSBE-së, Aktit Final të Helsinkit, na kujtohet vizioni që shtetet pjesëmarrëse kishin kur u zotuan kolektivisht: të kemi një forum ku çështjet e vështira mund të diskutoheshin diplomatikisht. Kjo është ajo që na duhet sot dhe ajo që do të na duhet nesër, kur arkitektura e re e sigurisë do të diskutohet plotësisht dhe do të rindërtohet ngadalë”, tha Sinirlioglu./ a.jor.