E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – Spanja kundërshton objektivin prej 5% të PBB-së për mbrojtjen

MADRID, 19 qershor /ATSH-ANSA/ – Qeveria spanjolle thuhet se është gati të refuzojë kërkesën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për të mbështetur propozimin për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe sigurisë nga vendet aleate në 5% të PBB-së, raporton ”El Pais” duke cituar burime nga presidenca.

Gazeta shpjegon se Madridi dhe kryeqytetet e tjera të shteteve të NATO-s morën një letër nga Rutte dje në mbrëmje, në të cilën propozimi për të arritur objektivin prej 5% deri në vitin 2032 bëhet i qartë.

Megjithatë, Spanja dhe disa vende të tjera thuhet se janë gati ta kundërshtojnë këtë kërkesë: një qëndrim që, rrezikon të krijojë tensione të forta në samitin e ardhshëm të Aleancës Atlantike, të planifikuar për javën e ardhshme në Hagë, pasi do të kompromentonte unanimitetin e nevojshëm për të miratuar objektivin e ri.

Madridi, nga ana tjetër, është në favor të idesë që shpenzimet e mbrojtjes dhe sigurisë nuk duhet të jenë të paracaktuara “me përqindje fikse”, ndërsa nuk përjashton mundësinë që arritja e 5% mund të bëhet e nevojshme në të ardhmen, qeveria iberike beson se është “e nxituar” të vendosë kështu tani.

”El Pais” shkruan gjithashtu se këtë mëngjes kryeministri Pedro Sanchez pezulloi agjendën e tij “në dritën e nevojës për një përgjigje nga Rutte”.

”Vendosja e rritjes së shpenzimeve për mbrojtje dhe siguri si një objektiv i përgjithshëm për të gjitha vendet e NATO-s do të ishte jo vetëm e paarsyeshme, por edhe kundërproduktive”, argumenton kryeministri Pedro Sanchez në një letër drejtuar Ruttes.

Sipas këtyre burimeve, Sanchez iu përgjigj në këtë mënyrë kërkesës së Ruttes drejtuar shteteve të NATO-s për të mbështetur propozimin prej 5%, i cili mbështetet në veçanti nga administrata amerikane e Donald Trump.

Për kryeministrin iberik, një kërkesë e tillë është “e papajtueshme” me “shtetin e mirëqenies” dhe me “botëkuptimin” që promovon Spanja.

“Arritja e saj do të ishte e pamundur pa rritur taksat mbi klasat e mesme dhe pa bërë shkurtime në shërbimet publike”, shkruan udhëheqësi socialist spanjoll.

Prandaj, kryeministri spanjoll u kërkon aleatëve të NATO-s “një formulë më fleksibël në deklaratën e përbashkët që do të diskutohet gjatë samitit të ardhshëm të Aleancës në Hagë./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›