E Shtunë, 7 Nëntor 2026

FOKUS - Sulm kibernetik në supermarketet e Evropës, mijëra produkte ushqimore rrezikojnë të prishen - ATSH -

OSLO, 2 nëntor /ATSH – ANSA/ – Një valë e dyshuar sulmesh kibernetike ka goditur sistemet frigoriferike të disa supermarketeve në Suedi dhe Belgjikë, duke shkaktuar rritje të menjëhershme të temperaturave deri në 50 gradë Celsius brenda vitrinave frigoriferike dhe ngrirësve.

Sipas mediave evropiane, incidentet janë regjistruar gjatë natës dhe kanë shkaktuar ndërprerjen e sistemeve të ftohjes, duke vënë në rrezik sasi të konsiderueshme produktesh ushqimore.

Dyshimet janë për një sulm kibernetik të ngjashëm me atë të regjistruar në Francë më 12 tetor.

Në Belgjikë, sulmi preku disa pika të rrjeteve të mëdha tregtare, përfshirë Delhaize, Carrefour, Spar dhe Intermarché.

Probleme u raportuan edhe në një dyqan të Ikea-s. Sipas agjencisë së lajmeve Belga, sulmet ndoqën të njëjtën mënyrë veprimi, duke vënë në shënjestër sistemet frigoriferike rreth mesnatës, mes së dielës dhe të hënës.

Edhe në Suedi, disa supermarkete të zinxhirëve ICA dhe Coop u detyruan të mbyllnin përkohësisht dyert për të përballuar situatën.

“Po i boshatisim ngrirësit, nuk ka shumëçka tjetër që mund të bëjmë”, deklaroi Dennis Vidal, menaxher i një dyqani të prekur në Suedinë jugore, në një intervistë për transmetuesin publik SVT.

Ai shtoi se sistemet kishin nisur të ftoheshin sërish, por produktet brenda tyre ishin tashmë të prishura.

Ndërkohë, zëdhënësi i Grupit ICA, Gustaf Nilsson, konfirmoi se një numër i kufizuar dyqanesh ishte prekur nga një incident gjatë natës, i cili kishte komprometuar sistemet e ftohjes dhe ngrirjes.

Sulme të ngjashme kibernetike ndaj sistemeve frigoriferike të supermarketeve janë raportuar edhe në Estoni, Luksemburg dhe Irlandë. Deri më tani, nuk ka një konfirmim zyrtar për autorët apo motivet e këtyre incidenteve.  /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›