E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Katundi i Ri në Durrës do të ketë ministadium modern me standardet e UEFA-s - ATSH -

TIRANË, 2 nëntor/ATSH/ Katundi i Ri në Durrës do të pajiset me një ministadium modern, me fushë futbolli sipas standardeve të UEFA-s.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se investimi po realizohet në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe synon krijimin e kushteve të reja për zhvillimin e sportit, si dhe ofrimin e një hapësire për aktivitete kulturore e sociale në shërbim të komunitetit.

“Katundi i Ri në Durrës, po bëhet me një ministadium modern, me fushë futbolli sipas standardeve të UEFA-s, tribunë dhe ambiente ndihmëse”, theksoi Rama.

“Një investim në bashkëpunim me FSHF-në, që krijon mundësi të reja për të rinjtë dhe i dhuron komunitetit një hapësirë për sport, kulturë dhe aktivitete sociale”, shtoi Kryeministri.

Në kuadër të projektit, Bashkia e Durrësit ka marrë përsipër realizimin e punimeve infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e bazamentit, dhomave të zhveshjes dhe tribunës së ministadiumit.

Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit do të realizojë rrethimin e fushës, mbjelljen e barit natyral, instalimin e sistemit të vaditjes, si dhe do të sigurojë makineritë për mirëmbajtjen e terrenit dhe vendosjen e portave.

Fusha e re do të ofrojë kushte për zhvillimin e seancave stërvitore dhe aktiviteteve sportive të skuadrave profesioniste, duke krijuar mundësi të reja edhe për fëmijët dhe të rinjtë e zonës.

/gj.m/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›