E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Telefonata Trump-Putin shuan shpresat e Kievit për raketat amerikane “Tomahawk”

UASHINGTON, 17 tetor /ATSH/ – Telefonata e papritur e Vladimir Putinit me Donald Trump dje duket se ka “minuar shpresat e Ukrainës për të marrë raketa  tip “Tomahawk”, ndërsa Volodymyr Zelensky takohet me presidentin amerikan dhe për të diskutuar pikërisht këtë çështje, sipas “Reuters”.

Ndihmësi kryesor i Kremlinit, Yuri Ushakov, tha se ishte Putini ai që kishte nisur bisedën, gjatë së cilës i kishte kërkuar homologut amerikan të mos i dërgonte Ukrainës raketat “Tomahawk” armë që Kievi i ka kërkuar prej kohësh, pasi do t’i jepnin mundësinë e goditjeve me rreze më të gjatë, duke e vënë Moskën në shënjestër të drejtpërdrejtë.

Ishte telefonata e tetë midis dy liderëve që nga fillimi i mandatit të dytë të Trump në janar, duke ndjekur një model tashmë të njohur në garën e ndërlikuar mes Putinit dhe Zelensky për të ndikuar në qëndrimin e presidentit amerikan.

Në raste të mëparshme, sa herë që Trump ishte shprehur në mbështetje të Kievit dhe aleatëve evropianë, një telefonatë e mëvonshme nga Putini shpesh sillte një zbutje të tonit të tij ndaj Moskës.

Pas disa javësh ku Trump kishte shprehur frustrim ndaj Putinit dhe kishte dhënë sinjale se mund të pajisej Ukraina me “Tomahawk,” ai u  tërhoq mbrëmë.

“Na duhen ‘Tomahawk’ edhe për Shtetet e Bashkuara. Kemi shumë, por na duhen për vete. Nuk mund të shterojmë rezervat tona”, tha ai për gazetarët në Zyrën Ovale.

Duke treguar bisedën me Putinin, Trump shtoi; “I thashë: ‘A do të të bezdiste nëse u jepnim disa mijëra ‘Tomahawk’ kundërshtarëve të tu?’ Ia thashë pikërisht kështu. Nuk i pëlqeu ideja. Duhet të jesh pak me humor ndonjëherë”.

Ai shtoi se do t’i tregojë Zelensky përmbajtjen e bisedës me Putinin gjatë takimit të tyre ballë për ballë të premten.

Pas telefonatës, Trump njoftoi gjithashtu se planifikon të takohet me presidentin rus në kryeqytetin hungarez, Budapest, në një datë ende të pacaktuar, për të diskutuar përfundimin e luftës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha sot se samiti mund të mbahet “brenda dy javësh ose më vonë”. Ai shtoi se Putini e kishte diskutuar tashmë takimin me kryeministrin hungarez Viktor Orbán, i cili ka marrëdhënie të ngrohta si me Trumpin ashtu edhe me Putinin. Orban shkroi në X: “Përgatitjet për samitin e paqes SHBA-Rusi janë duke vazhduar”.

Ende nuk dihet se si Putini do të udhëtojë drejt Hungarisë, për shkak të sanksioneve dhe ndalimit të hapësirës ajrore të BE-së pas pushtimit të Ukrainës, si dhe faktit që ai është nën urdhër arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC). Si nënshkruese e ICC-së, Hungaria do të ishte e detyruar ta arrestonte, megjithëse Orban ka thënë më parë se kjo nuk do të ndodhte.

Trump dhe Putin janë takuar për herë të fundit në Alaskë në gusht, pa ndonjë përparim diplomatik. Trump shtoi se javën e ardhshme do të zhvillohen bisedime të nivelit të lartë SHBA-Rusi, të udhëhequra nga sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, përpara samitit presidencial në Budapest.

Biseda e fundit, që zgjati mbi dy orë e gjysmë, duket se ka zbehur entuziazmin që Zelenskyy kishte ndërtuar me Trumpin, me këtë të fundit që tani është më pak i prirur të japë mbështetje të madhe për Ukrainën përpara takimit me Putinin.

Trump sugjeroi gjithashtu se bisedimet midis Putinit dhe Zelensky mund të zhvillohen në mënyrë indirekte, duke kundërshtuar synimin e gjatë të presidentit ukrainas për ta takuar personalisht Putinin për t’i dhënë fund luftës.

“Dy të tillë nuk shkojnë mirë bashkë”, tha Trump. “Ndoshta do ta bëjmë në mënyrë të ndarë. Të ndarë, por të barabartë”.

Nga ana e tij, Ushakov tha për gazetarët në Moskë se Putini paralajmëroi Trumpin se furnizimi i Kievit me Tomahawk “nuk do ta ndryshonte situatën në fushëbetejë, por do të dëmtonte rëndë marrëdhëniet midis vendeve tona.”

Zelenskyy, i cili mbërriti  dje në Uashington u takua me përfaqësues të kompanive të industrisë së mbrojtjes përpara vizitës në Shtëpinë e Bardhë, nuk ka komentuar për telefonatën Trump-Putin, megjithëse në Kiev reagimi pritet të jetë negativ.

Disa zyrtarë ukrainas u përpoqën ta paraqesin zhvillimin në dritë pozitive, duke thënë se vetë fakti që Putini kërkoi të bisedonte tregon frikën e tij nga mundësia e furnizimeve të reja për Ukrainën.

“Telefonata e sotme midis presidentëve Trump dhe Putin tregon se edhe thjesht diskutimi për raketat Tomahawk e detyroi Putinin të kthehej në dialog me Amerikën,” shkroi mbrëmë ministri i jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, në X.

“Përfundimi është se duhet të vazhdojmë me hapa të fortë. Forca krijon vrull për paqen”. shtoi ai.

Megjithëse Moska pretendon se është e gatshme t’i japë fund pushtimit, Putini nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm për kompromis apo të heqë dorë nga qëllimet e tij për nënshtrimin e Kievit.

Ndërsa Trump, me tonin e tij optimist, flet për mundësinë e paqes, nënpresidenti amerikan JD Vance u shpreh më i matur, duke thënë se “rusët dhe ukrainasit nuk janë ende në pikën ku mund të arrijnë një marrëveshje” dhe se një zgjidhje “është e mundur, por kërkon shumë më tepër punë.”

Në një intervistë për rrjetin konservator “Newsmax”, Vance tha se ekziston “një mospërputhje pritshmërish”, duke shtuar se “rusët mendojnë se po bëjnë më mirë në fushëbetejë sesa në të vërtetë janë”.  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›