FOKUS – Ukraina kryen sulmin më të madh ndaj Rusisë, që nga fillimi i luftës

MOSKË, 18 qershor /ATSH/- Moska është goditur nga sulmi më i madh ukrainas, që nga nisja e pushtimit të plotë rus të Ukrainës, me afro 200 dronë që goditën objektiva në dhe rreth kryeqytetit rus, duke shkaktuar zjarre të mëdha, raportoi BBC.
Sipas autoriteteve ruse, 17 persona u plagosën në rajonin e Moskës, ndërsa një person humbi jetën, pas goditjes së një depoje nafte në rajonin jugor të Rostovit.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se brenda 24 orëve, kishte rrëzuar rreth 1 000 dronë dhe katër raketa kruz ukrainase në të gjithë vendin.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se sulmi ishte një përgjigje ndaj goditjes së javës së kaluar ruse ndaj Kievit.
Një nga objektivat kryesore ishte rafineria e naftës “Kapotnya” në juglindje të Moskës, e cila u godit për herë të tretë, brenda një muaji.
Zjarre shpërthyen edhe në një qendër tregtare pranë saj, ndërsa disa ndërtesa banimi u evakuuan.
Katër aeroportet e Moskës u mbyllën përkohësisht dhe mbi 500 fluturime u anuluan.
Ndërkohë, Rusia njoftoi se gjatë natës kishte lëshuar më shumë se 200 dronë dhe disa raketa balistike kundër Ukrainës.
Sulmi i fundit, konsiderohet një nga goditjet më të mëdha të Ukrainës në territorin rus, ndërsa lufta mes dy vendeve vazhdon pa shenja zbutjeje. //a.i/