E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Zyrtarë konsullorë talebanë akreditohen për herë të parë në Gjermani

BERLIN, 21 korrik /ATSH-DPA/ – Për herë të parë që nga rikthimi i talebanëve në pushtet, qeveria gjermane ka lejuar hyrjen në vend të personelit konsullor afgan për të ndihmuar në fluturimet e dëbimit drejt Afganistanit.

Sipas Ministrisë së Jashtme gjermane, misionet diplomatike afgane në Gjermani deri tani ishin drejtuar nga persona të akredituar përpara kthimit të talebanëve në pushtet,

“Qeveria gjermane ka interes që shtetasit afganë në Gjermani të marrin mbështetje të mjaftueshme konsullore, kjo përfshin, për shembull, lëshimin e pasaportave”, shpjegoi Ministria e Jashtme.

Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Kornelius, konfirmoi në Berlin se akreditimi i dy zyrtarëve afganë lidhej me një fluturim të fundit dëbimi nga Gjermania.

Të premten, 81 afganë u dëbuan nga Gjermania, hera e parë që nga marrja e detyrës nga koalicioni i ri qeveritar në maj.

Kancelari Friedrich Merz ka theksuar se nuk do të ketë njohje diplomatike të talebanëve islamikë.

Ai tha se janë zhvilluar vetëm kontakte të ashtuquajtura “teknike”, të ndërmjetësuara nga Katari, për të përgatitur dëbimin.

Qeveria gjermane nuk mban marrëdhënie zyrtare me talebanët, të cilët janë në pushtet në Afganistan që nga viti 2021 dhe vazhdojnë të jenë të izoluar ndërkombëtarisht për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut, veçanërisht ndaj grave. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›