E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS- Merz: Ka ardhur koha për të finalizuar marrëveshjen doganore BE–SHBA

BERLIN, 28 janar /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz bëri thirrje sot për një vendim përfundimtar në mosmarrëveshjen lidhur me marrëveshjen doganore mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke folur në Berlin përkrah kryeministrit rumun Ilie Bolojan, Merz tha se “tashmë janë hedhur themelet që kjo marrëveshje të hyjë në fuqi”.

Megjithatë, kancelari paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara “nuk duhet të hedhin më dyshime” mbi marrëveshjen e arritur në korrik të vitit të kaluar.

Merz iu referua kërcënimit të fundit të presidentit amerikan Donald Trump, tashmë i tërhequr, për vendosjen e tarifave ndaj vendeve evropiane që kundërshtojnë përpjekjen e tij për të marrë nën kontroll Groenlandën.

“Shtetet e Bashkuara duhet të kenë interes që marrëveshjet të respektohen dhe të mos vihen në pikëpyetje nga ‘njoftime të përditshme’,” tha Merz.

“Ne nuk jemi të gatshëm të pranojmë një përkeqësim të kësaj marrëveshjeje”,  theksoi kancelari gjerman.

Megjithëse marrëveshja BE–SHBA u arrit vitin e kaluar, ajo ende ka nevojë për miratimin e Parlamentit Evropian për t’u bërë zyrtare.

Parlamenti e vendosi formalisht marrëveshjen në pritje javën e kaluar, ndërsa tensionet për Groenlandën u përshkallëzuan.

Plani parashikon që mallrat industriale amerikane të importohen në BE pa tarifa doganore. Në këmbim të këtyre angazhimeve nga BE-ja, Trump pranoi të mos vendosë tarifa të posaçme.

Merz vuri në dukje se negociatat me Uashingtonin vazhdojnë ende në dy sektorë të ndjeshëm: çelikun dhe aluminin./  /Ad.Ab./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›