E Diel, 1 Nëntor 2026

FOTO/ U ekzekutua me armë zjarri dhe u gjet nga kalimtarët, ky është ish-polici i dënuar me 25 vite burg

Një ngjarje e rëndë kriminale ka ndodhur orët e vona të mbrëmjes së djeshme në Vaun e Dejës, Shkodër. Rreth orës 21:00, në fshatin Paçram, është raportuar vrasja e një shtetasi me armë zjarri. Policia lokale konfirmoi gjetjen e një trupi të pajetë pranë një banese, i cili dyshohet se është qëlluar me armë zjarri tip pistoletë.

Viktima është identifikuar si Frrok Lleshaj, 65 vjeç, banor i zonës dhe ish-efektiv i Policisë së Shtetit deri në vitin 1994. Ai kishte një të kaluar penale, pasi ishte dënuar për vrasjen e kushëririt të tij, Dodë Lleshaj, ngjarje për të cilën kishte marrë 25 vite burgim nga Gjykata e Shkodrës në vitin 2006. Lleshaj ishte liruar nga burgu dy vite më parë, pasi kishte përfunduar dënimin.

Sipas burimeve, 65-vjeçari jetonte i vetëm në fshat dhe merrej me blegtori, pasi ishte braktisur nga familja pas lirimit nga burgu. Ai është qëlluar ndërsa ecte në rrugët e fshatit Paçram, dhe dyshohet se motivi kryesor i vrasjes është hakmarrja.

Trupi i pajetë është gjetur nga një kalimtar i rastësishëm, i cili ka njoftuar menjëherë Policinë. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit, identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.

Ndërkohë, po verifikohet edhe aktiviteti i viktimës gjatë dy viteve të fundit, pas daljes nga burgu. Hetimet janë në vijim.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›