E Diel, 1 Nëntor 2026

FRANCË – Macron paralajmëron për përplasje të reja me SHBA-në

PARIS, 10 shkurt /ATSH/- Evropa duhet të përgatitet për përplasje të mëtejshme me SHBA-në dhe ta përdorë “momentin e fundit të Groenlandës” si një thirrje zgjimi për të çuar përpara reformat ekonomike të vonuara prej kohësh dhe për të forcuar fuqinë globale të bllokut, tha sot presidenti francez, Emmanuel Macron, sipas “Reuters”.

“Evropa nuk duhet ta ngatërrojë “një qetësi” të tensioneve me Uashingtonin me një ndryshim të qëndrueshëm pavarësisht përfundimit të dukshëm të mosmarrëveshjeve mbi Groenlandën, tregtinë dhe teknologjinë”, shtoi Macron.

“Kur ka një akt të qartë agresioni, mendoj se ajo që duhet të bëjmë është të mos përkulemi ose të përpiqemi të arrijmë një zgjidhje. Mendoj se e kemi provuar këtë strategji për muaj të tërë. Nuk po funksionon”, tha presidenti francez për “Le Monde” dhe “Financial Times”.

“Administrata Trump është haptas anti-evropiane dhe kërkon shpërbërjen e BE-së”, tha Macron.

“Në muajt e ardhshëm, SHBA-ja do të na sulmojnë për rregullat digjitale”, shtoi ai – duke paralajmëruar për tarifat e mundshme të importit të SHBA-së nga presidenti Donald Trump nëse BE-ja do të përdorë Aktin e Shërbimeve Digjitale, për të kontrolluar kompanitë e teknologjisë.

Udhëheqësi francez gjithashtu përsëriti thirrjen e tij për huamarrje të përbashkëta të reja, të tilla si euro-obligacionet, duke argumentuar se kjo do t’i lejonte BE-së të investonte në shkallë të gjerë dhe të sfidonte hegjemoninë e dollarit amerikan.

Udhëheqësit e BE-së do të takohen në Bruksel të enjten për një samit ku do të diskutojnë masat për të forcuar ekonominë e BE-së dhe për ta bërë atë më të aftë për t’u përballur me SHBA-në dhe Kinën në skenën globale. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›