E Hënë, 2 Nëntor 2026

FRANCË – Një i vdekur, nëntë të plagosur rëndë nga një tornado në veri të Parisit

PARIS, 21 tetor /ATSH-DPA/ – Një person humbi jetën dhe të paktën nëntë të tjerë u plagosën rëndë pasi një tornado goditi  dje në mbrëmje një zonë në veri të Parisit.

Prefektura e Val-d’Oise njoftoi sot në mëngjes se katër prej të plagosurve janë në gjendje kritike, pas motit ekstrem që goditi qytetin e Ermontit, në periferi të kryeqytetit francez.

Pamje të publikuara nga aplikacioni lokal i motit “Météo Express” treguan tornadon që shkatërroi disa objekte dhe përmbysi tre vinça ndërtimi.

“Një tornado e papritur dhe jashtëzakonisht e fuqishme goditi disa qytete në Val-d’Oise, duke shkaktuar një viktimë dhe disa të plagosur rëndë”, shkroi ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, në platformën X.

Sipas autoriteteve lokale, rreth 150 zjarrfikës, ekipe emergjence dhe oficerë policie janë angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit në Ermont dhe në qytetet përreth, përfshirë Eaubonne, Andilly, Montmorency dhe Franconville.

Ndërkohë, rreth 1 700 familje mbetën pa energji elektrike deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›