E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Vdes mjeshtri i madh amerikan i shahut Daniel Naroditsky, 29 vjeç

CHARLOTTE, (KAROLINA E VERIUT), 21 tetor /ATSH/- Daniel Naroditsky, mjeshtër i madh amerikan i shahut, ka ndërruar jetë në moshën 29-vjeçare, duke tronditur komunitetin global të lojës mendore. Lajmi u bë i ditur nga “Charlotte Chess Center” ku ai stërvitej dhe punonte si trajner, sipas AP.

Në njoftim,”Charlotte Chess Center” përshkroi si “një shahist të jashtëzakonshëm, edukator të përkushtuar dhe një njeri të dashur për të gjithë”. Shkaku i vdekjes nuk është bërë ende i ditur.

I lindur në Kaliforni nga prindër emigrantë hebrenj me origjinë nga Ukraina dhe Azerbajxhani, Naroditsky u bë i njohur që në fëmijëri si “kampion” i shahut, duke fituar kampionatin botëror nën 12 vjeç. Në moshën 18-vjeçare ai fitoi titullin “Grandmaster”, ndërsa paralelisht shkroi libra strategije dhe vazhdoi të ngjitej me shpejtësi në renditjet ndërkombëtare.

Gjatë karrierës, ai u rendit vazhdimisht mes 200 lojtarëve më të mirë në botë në shahun klasik, ndërsa në blitz u bë një nga emrat më të rrezikshëm të skenës, duke mbajtur shpesh një vend në Top 25.

Përveç rezultateve në turne, Naroditsky u bë një nga zërat më të ndjekur të shahut modern. Me komentimet e tij të qarta dhe stilin e qetë në YouTube dhe Twitch, ai i afroi lojës mijëra ndjekës të rinj. Shumë figura të njohura, përfshirë mjeshtrin e madh Hikaru Nakamura, e vlerësuan rolin e tij në popullarizimin e shahut, duke e cilësuar si “frymëzues dhe edukator të rrallë.”

Në videon e tij të fundit, të publikuar të premten, ai dukej energjik dhe i motivuar, duke iu thënë ndjekësve se ishte “rikthyer, më mirë se kurrë.”

Lajmi për vdekjen e tij të papritur nxiti reagime të shumta të kolegëve, përfshirë mjeshtrin e madh holandez Benjamin Bok, i cili u shpreh se humbi jo vetëm një rival dhe bashkëpunëtor, por “një mik të vjetër.”

Pas diplomimit në “Stanford University”, Naroditsky u vendos në Charlotte, ku trajnoi gjeneratën e re të talenteve amerikane, duke u përpjekur ta transmetonte lojën me pasion dhe thjeshtësi. Komuniteti ndërkombëtar i shahut e përkujton ashtu siç u jetua: si mendje brilante, zë të qetë dhe njeri që e bëri shahun nder në çdo hap. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›