E Diel, 1 Nëntor 2026

FSDKSH kontroll administrativ mbi gjurmueshmërinë e barnave të rimbursueshme

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) informon opinion publik dhe median se ka nisur kontrollin administrativ mbi gjurmueshmërinë e barnave të rimbursueshme.

Në një reagim për mediet FSDKSH thekson se “ky kontroll synon mbrojtjen e interesit publik, garantimin e ligjshmërisë dhe përdorimin korrekt të fondeve publike”. “Proceset e verifikimit janë iniciuar, ndër të tjera, edhe nëpërmjet kërkesave zyrtare të disa prej subjekteve farmaceutike dhe zhvillohen në bazë të kuadrit ligjor në fuqi dhe të dhënave nga sistemet zyrtare”, u shpreh FSDKSH. Me kërkesë të Urdhrit të Farmacistëve, FSDKSH priti dje në një takim përfaqësues të urdhrit dhe rreth 50 subjekte farmaceutike, me qëllim sqarimin e çështjeve të ngritura. Gjatë diskutimeve u theksua se nuk është marrë ende asnjë vendim përfundimtar, nuk ka ndëshkime kolektive dhe procedurat e kontrollit po zhvillohen në përputhje me ligjin. Aktualisht, Fondi vijon punën për analizimin e informacionit dhe shqyrtimin e observacioneve të paraqitura nga subjektet farmaceutike, brenda afateve ligjore. Sipas FSDKSH-së, në përfundim të procesit do të bëhet publik Raporti Përfundimtar i Kontrollit. FSDKSH mbetet i përkushtuar për transparencë, dialog dhe bashkëpunim me të gjitha palët, duke garantuar zbatimin korrekt të ligjit dhe funksionimin e qëndrueshëm të skemës së sigurimit shëndetësor. Ky kontroll po kryhet në kuadrin ligjor dhe nënligjor në fuqi, i cili rregullon administrimin e skemës së Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, kryesisht ligjin “Për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”. /k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›