FSHF: Europiani U-17 “Shqipëri 2025”, rekorde në fushë dhe në shkallët e stadiumeve

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Kampionati Europian U-17 “Shqipëri 2025” ishte një nga më spektakolarët e viteve të fundit, dhe këtë e tregojnë statistikat: gola të shumtë, mbështetje e madhe nga tifozët.
Federata Shqiptare e Futbollit në përfundim të Europianit U-17 “Shqipëri 2025” ka publikuar statistikat dhe risitë e turneut të zhvilluar në vendin tonë.
Gjatë eventit u shënuan 54 gola. Turneu u zhvillua në katër stadiume (“Arena Kombëtare”, “Elbasan Arena”, “Niko Dovana” dhe “Egnatia Arena”), duke thyer rekordin e mëparshëm për një turne me tetë ekipe (52 gola në vitin 2004).
Mesatarja e spektatorëve në fazën e grupeve ishte 4.500 për ndeshje, shifra e dytë më e lartë që nga viti 2002 për këtë nivel turneu.
Portugalia fitoi titullin e saj të tretë të Europianit U-17 pas triumfeve në vitet 2003 dhe 2016.
Portugalia ishte ekipi me më shumë gola të shënuar në këtë edicion: 11 gola, një më shumë se Franca.
Golashënuesi më i mirë i turneut ishte Samuele Inacio i Italisë me 5 gola, duke lënë pas Djylian Nguessan (Francë) dhe Alejandro Rodriguez (Angli) me nga 4.
Rafael Quintas, kapiteni i Portugalisë, u shpall lojtari më i mirë i turneut.
Krahas nivelit të lartë sportiv, turneu u shoqërua me pjesëmarrje të gjerë nga fëmijë, familjarë, nxënës dhe turistë, ndërsa organizimi ishte në standardet më të larta nga UEFA dhe FSHF.
1 nga 10/a.f/