FSHF gjobit Bylisin për sjellje të gabuar të tifozëve

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit dënoi klubin e Bylisit me 50.000 lekë gjobë për shkak të sjelljes së gabuar të tifozëve.
Shkak për vendimin janë hedhjet në fushë të sendeve të palejuara gjatë sfidës së zhvilluar të shtunwn në mbrëmje mes Bylisit dhe Vllaznisë, e vlefshme për javën e shtatë të superligës, e cila përfundoi me rezultatin 0-1 për skuadrën shkodrane. Tifozët vendas u acaruan dhe hodhën sende të palejuara në fushën e blertë gjatë minutave shtesë të pjesës së dytë të lojës, kur ballshiotët arritën të barazonin rezultatin, por pas një vlerësimi në VAR të arbitrit, goli u anulua. Ky vendim i gjyqtarit nuk u prit mirë nga tifozët që hodhën sende në fushë.
Komisioni i etikës në FSHF, po ashtu ka marrë një sërë vendimesh që prekin klube të Kategorive të Ulëta dhe ekipeve të moshave, lidhur me sjellje të gabuar të spektatorëve, protesta ndaj vendimeve të arbitrave apo veprime josportive në fushë.
Vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF, datë 23.10.2025
- FK Bylis, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushën e lojës, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.
- AF Luftëtari, për sjellje të gabuar të spektatorëve në mënyrë të përsëritur, duke hedhur sende në fushën e lojës, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë. Në zbatim të nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
- KF Iliria, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushën e lojës, dënohet me gjobë në masën 50.000. Në zbatim të nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
- FK Apolonia, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushën e lojës, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë. Në zbatim të nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
- Zyrtari i FK Apolonia, Marko Jovanovic, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 2 ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Zyrtari i KF Shkumbini, Marsel Sula, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 4 ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Lojtari i FK Partizani B, Oresti Rifa, për sjellje josportive ndaj lojtarëve kundërshtarë, dënohet me 2 ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
*Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tri) ditëve përpara Komisionit të Apelit.
/r.e/