FSHF gjobit Vllazninë dhe Elbasanin, pezullime për disa lojtarë

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka shpallur sot vendimet e datës 28 tetor 2025, ku ndër të tjera ka vendosur gjoba për ekipet e Vllaznisë dhe Elbasanit, si dhe pezullime për disa lojtarë dhe zyrtarë klubesh.
Në bazë të njoftimit zyrtar, KF Vllaznia është dënuar me gjobë prej 50 mijë lekësh për sjellje të gabuar të spektatorëve, të cilët hodhën sende në fushën e lojës. Ndërsa AF Elbasani është dënuar me 200 mijë lekë gjobë për ndezje flakadani, përdorim mjetesh piroteknike dhe kore fyese.
Komisioni ka vendosur gjithashtu pezullim me 10 ndeshje për zyrtarin e KF Burreli, Arjan Lleshaj, për kërcënime ndaj zyrtarëve të ndeshjes, duke i ndaluar hyrjen në stadiume deri në përfundim të dënimit.
Lojtari i KF Gramshi, Ernis Dhimitri, është dënuar me 6 ndeshje pezullim për sulm ndaj kundërshtarëve, ndërsa Elsaid Nika i KSSH Veleçikut është pezulluar për 4 ndeshje për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.
Komisioni ka urdhëruar gjithashtu çeljen e hetimit disiplinor për incidentet e ndodhura në ndeshjen Eagle Football – KF Butrinti.
Në vendimet e tjera, lojtarët Enrik Agolli (KF Maliqi) dhe Marselo Gjuzi (Partizani B) janë dënuar respektivisht me 6 dhe 3 ndeshje pezullim për sjellje josportive gjatë ndeshjeve.
/a.f/r.e/