FSHF gjobit katër klube të Superligës

TIRANË, 26 shtator /ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur vendimet e marra nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në mbledhjen e datës 26 shtator 2025.
Sipas njoftimit, Komisioni ka vendosur, që AF Elbasani, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushën e lojës, dënohet me gjobë në masën 50 mijë lekë.
KF Teuta, për ndezje flakadani, mjete të tjera piroteknike, hedhje sendesh në fushë dhe ndërprerje të përkohshme të lojës, dënohet me gjobë në masën 100 mijë lekë.
KF Vllaznia, për ndezje flakadani, mjete piroteknike dhe hedhje sendesh në fushën e lojës, dënohet me gjobë në masën 50 mijë lekë.
KF Tirana, për ndezje flakadani, mjete piroteknike dhe ndërprerje të përkohshme të lojës, dënohet me gjobë në masën 100 mijë lekë. Gjithashtu, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në stadiumin “Arena Egnatia” brenda 15 ditëve.
KF Pogradeci, për hedhje sendesh në fushë duke rrezikuar sigurinë e lojtarëve kundërshtarë dhe zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me gjobë në masën 100 mijë lekë, e cila në zbatim të rregullores aplikohet në masën 50%.
Shpëtim Duro, zyrtar i Besa FC, paralajmërohet për refuzimin e daljes në intervistë pas ndeshjes, duke u bërë me dije se në rast përsëritjeje do të jetë subjekt i masave disiplinore.
KS Korabi paralajmërohet se në rast përsëritjeje të sjelljes së gabuar të spektatorëve, do të jetë subjekt i masave disiplinore.
Artan Sakaj, zyrtar i FC Dinamo City U-19, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 2 ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
FSHF bën të ditur se kundër këtyre vendimeve lejohet ankim brenda 3 ditëve pranë Komisionit të Apelit.
/a.f/