E Diel, 1 Nëntor 2026

FSHZH hap tenderin 2,97 milionë euro për sistemin e transportit publik elektrik dhe inteligjent në Berat

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin për ngritjen e sistemit të integruar të transportit publik elektrik dhe inteligjent në Berat, me fond limit prej rreth 2,97 milionë euro.

Projekti synon modernizimin e transportit urban në qytet, përmes zëvendësimit të autobusëve me naftë me mjete elektrike, ndërtimit të stacioneve të reja, infrastrukturës së karikimit dhe sistemeve inteligjente për menaxhimin e flotës.

Faza e parë e projektit, e konceptuar si pilot, parashikon vendosjen në shërbim të 7 autobusëve elektrikë në dy linja. Katër autobusë standardë 12-metërsh do të shërbejnë në linjën L1, Kombinat-Uznovë, ndërsa tre minibusë 6-metërsh do të përdoren në linjën turistike L6, që lidh zonën e Kalasë me Goricën.

Në kuadër të kësaj faze parashikohet edhe ndërtimi i 19 stacioneve të pritjes, si dhe instalimi i infrastrukturës së karikimit dhe sistemeve inteligjente të transportit.

Linja Kombinat-Uznovë do të jetë rreth 8 kilometra e gjatë dhe do të ketë 12 stacione, me një frekuencë prej 10 minutash gjatë orareve të pikut. Sipas analizës së transportit publik të bashkisë Berat, linja pritet të mbulojë rreth 18 mijë banorë.

Projekti është pjesë e një plani më të gjerë për transformimin e transportit publik në Berat deri në vitin 2030, i cili parashikon 6 linja, 18 autobusë elektrikë dhe 65 stacione pritjeje, me synim mbulimin e rreth 95% të popullsisë urbane.

Kontrata për tenderin aktual do të ketë një afat zbatimi prej 9 muajsh, ndërsa ofertat do të pranohen deri më 25 shtator 2026.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›